Ekonomi
Bislimovski: Çmimi i ngohjes qendrore, rritet për 14%
31.12.2021 13:16
Faturat e ngrohjes në janar në Shkup do të jenë më të larta për 14%....

Faturat e ngrohjes në janar në Shkup do të jenë më të larta për 14%. Këtë rritje, Komisionit Rregullator për Energjetikë e arsyeton me rritjen e çmimit të gazit natyror në treg. Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimovski, tha se për blerjen e gazit natyror për termocentralet, nevojiten 13,8 milionë euro, por atë kosto nuk mund ta paguajnë vetëm qytetarët dhe për këtë arsye kërkoi që diferenca të mbulohet nga Qeveria, Qyteti i Shkupit dhe komunat e kryeqendrës.
“Çmimi për ngrohje do të rritet me 14 për qind. Me këtë çmim i rikthehemi nivelit të ngrohjes qendroe që kishim në vitin 2018, duke pasur parasysh që çmimin e ngrohjes e kemi ulur me 15-16 për qind në tre vitet e fundit. Ne i pranojmë harxhimet prej 4 milionësh, por ka një diferencë prej 9 milionësh që duhet mbuluar. Konsumatorët nuk mund ta mbulojnë koston e gazit natyror . Për këtë arsye të gjithë palët e interesuara duhet të përfshihen. Qeveria po ndërmerr hapa për mbulimin e kësaj kostoje, por i bëj thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave që të ndihmojnë në mbulimin e një pjese të shpenzimeve për ngrohje.”, tha Marko Bislimovski, kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse BEG mund të punojë me naftë në rast se nuk mund të sigurojë gaz natyror, Bislimovski tha se është e mundur, por si ekspert, ai nuk e rekomandon një opsion të tille që do ta rëndonte edhe më shumë problemin e ndotjes.
“Nuk e rekomandoj, por nëse nuk ka gaz natyror dhe çmimi është shumë i lartë, mund të konsiderohet si opsion përfundimtar. Ngrohtoret janë në zonat ku jetojnë njerëzit dhe kjo do të ndikojë në ndotjen dhe shëndetin e qytetarëve.”, tha Bislimovski.
Nga 1 janari edhe çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 9.8 % për shkak të krizës energjetike dhe do të hiqet tarifa e lirë ditore.
SEDAT SELIMI
