Maqedoni
Përforcim i lidhjes kulturore mes Shkupit dhe Tiranës
22.12.2014 16:47
Delegacion parlamentar nga spektri politik i Shqipërisë vizitoi Komunën e Çairit, për t’u njohur për së afërmi me reformat e ndërmarra në të gjitha sferat...

Numri një i Çairit, Izet Mexhiti, kërkoi ndihmën e shtetit shqiptar për të formuluar platformë të përbashkët për lidhjen e institucioneve kulturore, qeveritare dhe sektorin civil.
Vlerat kulturore na bëjnë të ndjehemi më afër njëri-tjetrit, u tha me këtë rast.
“Kërkojmë që “Toena” në Çarshinë e Vjetër, siç ka qenë në Shqipëri, të vijë në Shkup, ashtu siç erdhën piktorët pa mos e harruar qytetin e Shkupit,ashtu siç u krijua opera “Skënderbeu” në Tiranë dhe qytetet tjera kërkojmë që këto aktivitete të gravitojnë në qytetin e Shkupit dhe të jemi më afër njëri-tjetrit, pse jo edhe vlerat që krijohen në Shkup të lëvizin në qytetet e Shqipërisë”- deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Shteti shqiptar do të ofrojë mbështetje për Maqedoninë, sepse kjo paraqet një rikthim tek miqtë e vjetër, por me projekte të reja në sferën e kulturës.
“Me një platformë të përbashkët për projekte kulturore mbarëshqiptare jo vetëm në komunat me shumicë shqiptare në Maqedoni, por edhe në Shqipëri, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësi të shohin kalendarin e aktiviteteve tërëmujore kudo që jetojnë shqiptarët në rajon, në mënyrë që gjithsecili të marrë pjesë dhe të jetë konsumator i aktiviteteve”- tha nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Edukim, Alfred Peza.
Aktivitet kulturore do të thyejnë kufijtë artificial, ndërsa në shenjë respekti u shkëmbyen dhurata nga të dyja palët.
FLUTURA LATIFI
