Covid 19, mjekët: Pritet valë e re infektimesh pas festave

01.01.2022 17:38

Pas festave të fundvitit pritet një valë e re infektimesh.....

Pas festave të fundvitit pritet një valë e re infektimesh me variantin e ri të virusit korona Omikron. Mjekët thonë se është dy herë më  infektues se variantet tjera të virusit korona dhe prek  të gjitha grupmoshat dhe apelojnë për kujdes të shtuar.

“Praktikisht kulminacioni i infektimeve pritet të ndodhë pas festave të fundvitit dhe pastaj pritet të qetësohet situata. Masat aktuale janë shumë efikase vetëm nëse respektohen. Të gjithëve ju mbetet të jenë të ndërgjegjëshëm dhe të vëmendëshëm. Masat duhet të respektohen në mënyrë individuale” – tha mjeku familjarë, Orhan Islami.

“Rritja e numrit të pacientëve vjen nga lëvizjet e shumta që po bëhën në këtë fundvit, shkaku i festave dhe gurbetçarëve që kanë ardhur në vendin e tyre për të festuar. Unë si mjek së bashku me mjekët tjerë ju bëjmë apel qytetarëve që të bëjnë kujdes për të mbrojtur shëndetin tonë dhe shëndetin e të tjerëve. Duke e ditur se varianti Omicron, ka aftësi transmetimi shumë më të madhe se variantet tjera, t’ju shmangemi sa më shumë grumbullimeve nëpër ambiente të mbyllura që të kemi sa më pak të sëmurë” – u shpreh pulmologu, Zeqirja Shaini.  

Mjekët pediatër: Omicron i prek edhe fëmijët nën 2 vjeç

Për shkak të ndjeshëmrisë së organizmit që kanë fëmijët, varianti Omicron në masë të madhe e prek edhe këtë grupmoshë.

“Për shkak të variantit Omicron infektohen edhe fëmijët nën moshën 2 vjeçe dhe kjo interpretohet si rezultat i sistemit më të dobët imunitar te fëmijët dhe rezultat i mungesës së vaksinimit, sepse siç e dimë fëmijët në këtë moshë nuk mund të vaksinohen. Simptomatologjia është me temperaturë të lartë trupore, kollitje të vazhdueshme, vështirësi në frymarrje e kështu me rradhë” – theksoi pediatri, Rexhep Memedi.

Edhe pse lloji Omikron përhapet më shpejtë se “Delta”, indikacionet e para tregojnë se ky lloj është më pak i rrezikshëm, deklarojnë mjekët .

Organet kompetente vazhdojnë t’ju bëjnë thirrje qytetarëve që sa më shumë të vaksinohen, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të luftohet pandemia. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)