Maqedoni

U formua Këshilli për Ndërtim të Sipërfaqeve të Gjelbra

22.12.2014 17:42

Është formuar Këshilli për Ndërtim të Sipërfaqeve të Gjelbra, i mbështetur nga Lidhja e Odave Ekonomike...

Është formuar Këshilli për Ndërtim të Sipërfaqeve të Gjelbra, i mbështetur nga Lidhja e Odave Ekonomike, i cili duhet ta rrisë vetëdijen për shfrytëzimin e praktikave të reja për ndërtim.
 
Sektori ndërtimor dhe institucionet do të promovojnë përdorimin e teknologjisë së ndërtimit të gjelbër, si hap drejt uljes së ndikimit të ndërtimit mbi shëndetin e njeriut dhe mjedisin jetësor. 
 
Nga muaji i ardhshëm, sipas ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, do të qasen drejt ndryshimeve të Ligjit për Ndërtim, me të cilat do të përfshihen nismat për promovimin e ndërtimit të gjelbër.
 
Me qëllim të ndjekjes së direktivave evropiane, theksoi Janakieski, me ndryshimet e fundit ligjore të Ligjit për Ndërtim u bë harmonizimi me Ligjin për Energjetikë. 
 
"Nga 1 janari i vitit të ardhshëm 2015, për të gjitha ndërtimet e reja do të jetë i obliguar posedimi i një certifikate për efikasitet energjetik. Kur aplikohet për miratimin për ndërtim, vetë projekti duhet të përmbajë vërtetim për efikasitet energjetik. Një gjë e tillë do të kërkohet edhe gjatë një rikonstruimi të konsiderueshëm të ndërtimeve, me përjashtim të objekteve individuale"- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
Kryetar i Këshillit të Maqedonisë për Ndërtim të Hapësirave të Gjelbra, Sead Koçan, theksoi se qëndrueshmëria e ndërtimit të efikasitetit energjetik dhe mbrojtja e mjedisit jetësor do të gjenerojnë rritje të qëndrueshme në sektorin ndërtimor, krijimin e vendeve të punës, rritjen e sigurisë energjetike, si dhe uljen e varfërisë, pasi që importimi i naftës dhe gazit në Evropë kushton qindra miliard euro çdo vit. 
 
Kryetarja e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, Daniela Arsovska, tha se shpenzimet gjatë ndërtimit të gjelbër janë vetëm një deri në pesë për qind më të larta dhe përdoruesi i hapësirës banesore apo afariste përmes kursimeve, të cilat do t'i realizojë, i kthen këto mjete në vitin e parë, pasi që kursimi i energjisë elektrike është rreth 30 për qind, ndërsa i ujit rreth 40 për qind në nivel vjetor. 
 
Ndërtimi i gjelbër ka të bëjë me strukturën dhe përdorimin e një procesi, i cili në mënyrë ekologjike dhe efikasitet energjetik është i përgjegjshëm gjatë tërë ciklit jetësor të një ndërtimi.
 
Ndërtimi i gjelbër përfshin gjetjen e balancit midis ndërtimit dhe energjisë së qëndrueshme, që megjithatë kërkon bashkëpunim midis arkitektëve, inxhinierëve dhe klientëve në të gjitha fazat e projektit. 
 
GYLTENE SINANI