Viti 2022, koncerti tradicional i filharmonisë së Vienës

01.01.2022 15:34

Për muzikëdashësit, Viti Ri 2022 filloi sot me Koncertin e Filharmonisë së Vienës....

Për muzikëdashësit, Viti Ri 2022 filloi sot me Koncertin e Filharmonisë së Vienës, ngjarje që çdo fillim viti sjell të rikrijuar muzikën shtrausiane drejtpërdrejtë nga salla e artë Muzikeveven në Vienë.

Daniel Baren-boim për të tretën herë u ngjit në podiumin e dirigjentit, pas një bashkëpunimi 30 vjeçar me orkestrën e Filharmonisë.

Programi i Koncertit ishte gati i gjithi me kompozime të familjes Shtraus, gjashtë prej të cilave u interpretuan për herë të parë nga Filharmonia.

Temat e zgjedhura kishin përgjithësisht një frymë gazmore dhe figura nga mitologjia.

Gjatë intervalit midis dy pjesëve u shfaq një guide nëpër vendet e Trashëgimisë kulturore botërore, nëpër gjithë Austrinë, me ç’rast u kujtua edhe 50 vjetori i Uneskos.

Trupa e Baletit Shtetëror të Vienës vallëzoi Valsin e madh “Njëmijë e një net “, në parkun barok të pallatit perandorak.

Koncerti u mbyll me pjesët tradicionale, Danubi i bukur Blu dhe marshi i Radeckut.

Koncerti u zhvillua me publik në sallë dhe në përputhje me rregullat e pandemisë.

Gjatë koncertit nuk munguan duartrokitjet e ngrohta të publikut për Dirigjentin 79 vjeçar, Daniel Baren-boim dhe orkestrën e Filharmonisë së Vienës.

Programi ynë për të njëzetin vit me rradhë e transmetoi koncertin e famshëm drejtpërdrejtë me koment në gjuhën shqipe. (Merita Çoçoli, TVM2)