LSDM, Qeveria pengoi shtrenjtimin drastik të energjisë
LSDM ka lavdëruar qeverinë se ka arritur që me reagim të shpejtë...

LSDM ka lavdëruar qeverinë se ka arritur që me reagim të shpejtë dhe në kohë ka arritur të pengojë rritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike.
Mobilizimi i kapaciteteve vendore mundësoi që rritja të jetë vetëm 9, 48% e jo 25% siç ishin paralajmërimet.
Nga LSDM thonë se rritja e çmimit të energjisë elektrike është problem global.
“Se çmimi i energjisë elektrike është problem global konfirmon edhe rritja e çmimit të energjisë në shumë shtete, ndërsa më e theksuar është në Turqi ku rritja e çmimit për amvisritë ishte 50%, ndërsa për kompanitë është 100%” – tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Njëherit nga LSDM theksojnë se në vend do të mbeten tarifat e lira natën dhe të dielave, ndërsa ndërprerje të energjisë nuk do të ketë. Nga partia në pushtet potencojnë edhe miratimin nga qeveria të programit për mbrojtjen e konsumatorëve, me të cilin do të përfshihen rreth 7500 amvisri me të ardhura të ulëta.
VMRO-DPMNE, dështoi strategjia energjetike e Qeverisë
Por nga VMRO-DPMNE-ja opozitare e kanë akuzuar qeverinë për keq menaxhim dhe mos reagim në kohë për marrjen e masave për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Nga kjo parti theksojnë se rritje të çmimit kishte në vitin 2020, mbi 7 %, ndërsa në vitin 2021 kishim rritje për mbi 12%, por nuk u investua në kapacitetet energjetike vendore edhe pse bëhet fjalë për kompani shtetërore, përveç EVN-distribuimi që është kompani private.
“Në verën e vitit 2021 kishim rritje të çmimit të energjisë elektrike për 12,50%, por u maskua mirë me zvoglimin e TVSH-së për qytetarët, por në ligj thuhet se do të vlejë për një periudhë prej një viti. Që do të thotë se korrik 2022 TVSH do të kthehet në 10%” – u shpreh Elena Markova Velinova nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO DPMNE njëherit theksojnë se përveç rritjes së çmimit për 9,48% kemi edhe një rritje të fshehur që shkaktohet nga heqja e tarifës së lirë ditore.
Por derisa nga VMRO thonë se ka dështuar politika strategjike energjetike e qeverisë, nga LSDM kundërpërgjigjen se VMRO-DPMNE po tentojnë të ngrisin panikë te qytetarët për të përfituar politikisht. (Flutura Latifi, TVM2)
