LSDM, përbërja e qeverisë do të dihet më 11 janar
Rreth 11 janar pritet që mandatari për formimin e qeverisë....

Rreth 11 janar pritet që mandatari për formimin e qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ti dorëzojë kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re. Kështu bëjnë të ditur nga LSDM duke theksuar se aktualisht mandatari është në koordinim e sipër me partnerët e koalicionit.
“Bisedimet me partnerët e koalicionit janë në rrjedhë e sipër dhe ashtu siç ka paralajmëruar kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski, nuk do ta shfrytëzojë afatin kushtetues deri në 20 ditë, pritet që përbërja e re e qeverisë të dorëzohet rreth 11 janarit” – tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Pasi mandatari ti dorëzojë kuvendit emrat e kandidatëve për formimin e qeverisë së re kryeparlamentari Talat Xhaferi duhet të thërras seancë plenare, të cilën siç ka paralajmëruar do ta thërras më 15 dhe 16 janar dhe në ditën e dytë të debatit para orës 24 do të votohet për qeverinë e re.
Koalicionit LSDM-BDI i është bashkangjitur edhe Alternativa duke siguruar kështu një shumicë parlamentare prej 64 deputetësh.
Partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët e kanë kundërshtuar formimin e një qeverie me kryeministër Kovaçevskin, pasi siç kanë vlerësuar ato ai nuk ka marrë mandatin e qytetarëve.
Opozita ka kërkuar zgjedhje të parakohshme të cilat kundërshtohen nga partitë në pushtet. (Ersan Pajaziti, TVM2)
