OKB, nuk shpallen “non-grata” pjesëtarët e UNMIK-ut

02.01.2022 16:49

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.....

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ende nuk është informuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës për shpalljen “persona non -grata” të një pjesëtari rus të këtij misioni, por ato nuk mund të shpallen të pa dëshirueshëm, thotë Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Ministria e Jashtme e Kosovës njoftoi më 31 dhjetor se kishte shpallur “persona non grata” (person të padëshirueshëm) një zyrtar rus të UNMIK-ut, për shkak të siç thuhej “veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Kosovës”. Por, Dujarric tha se sipas ligjeve me të cilat funksionon UNMIK-u, doktrina “persona non grata” nuk mund të aplikohet ndaj personelit të këtij misioni.

“Jemi në dijeni që autoritetet në Kosovë kanë shpallur ‘persona non grata’ një pjesëtar të stafit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Nuk kemi pranuar asnjë komunikim zyrtar në mision nga autoritetet e Kosovës sa i përket këtij njoftimi. Doktrina e ‘persona non grata’ nuk është e zbatueshme për personelin e Kombeve të Bashkuara, nuk parashihet në rregulloren e UNMIK-ut 2000/47 (mbi statusin, privilegjet dhe imunitetet e KFOR-it dhe UNMIK-ut dhe personelit të tyre në Kosovë)”, thuhet në deklaratën e Dujarric.