Maqedoni
Protestë kundër Ligjit për Honorarët
22.12.2014 17:49
Nuk do të paguajmë ne, do të paguani ju” ishte kjo parulla e qytetarëve, të cilët protestuan kundër Propozimi-ligjit për Honoraristët...

Ata i kërkuan qeverisë të heq dorë nga synimi i saj për të marrë një të tretën e përfitimit të qytetarëve për të ndërtuar fasada dhe përmendore.
Protesta u organizua nga Sindikata e Gazetarëve të Pavarur dhe Punonjësve të Medias (SPGP), gazetarë, përthyes, punëtorë turistik dhe shumë punëtorë të tjerë me honorarë, të cilët kërkuan anulimin e ligjit, që do të prekë 150 mijë persona.
“Me këto ndryshime do të jenë të goditur shumë gazetarë, të cilët shumica e tyre janë honorarë. Këto ndryshime do t’i varfërojnë të varfrit, ndërsa të pasurit do vazhdojnë të mbeten të pasur, për këtë kemi ardhur publikisht t’u tregojmë se nuk pajtohemi. Këto janë masa të rrejshme sociale dhe qëllimi i tyre lexohet shumë lehtë”- deklaroi gazetarja, Tama Causidis.
“Këto ndryshime ligjore do t’i varfërojnë akoma më shumë qytetarët, të cilët edhe ashtu marrin honorarë të vogla. Qeveria duhet të vendosë ose të jetë demokratike ose jo, nëse është demokratike ajo duhet ta dëgjojë zërin e popullit”- tha Zdravko Savevski nga Shoqata “Solidarnost”.
“Jam këtu sot në përkrahje të këtij ndryshimi të çoroditur të qeverisë, që me çdo kusht do t’i rrjepë qytetarët e saj, popullin e saj që me çdo kusht do të pasurohet. Unë jam me profesion përkthyese, absolutisht rroga nuk më mjafton për të mbijetuar, e jo më të bëj ndonjë jetë luksi”- theksoi përkthyesja, Luljeta Ademi.
Protestuesit brohorisnin me parulla të ndryshme, si: “vjedhës”, “mashtrues” e “kriminelë” dhe kërkonin nga qeveria t’i paguaj vetë honorarët e punëtorëve dhe jo t’i shkurtojë 35% përfitimet e tyre.
“Prapa këtyre kulisave fshihet krimi, fshihet ai i cili për gips karton, i cili për bronz merr prej xhepit tuaj”- potencoi artisti, Petrir Saraqini.
Në fund, me të arritur në ndërtesën e qeverisë, protestuesit hodhën monedha dhe para letre përpara kësaj ndërtese për të mbushur, siç thanë ata, arkat e shtetit, të cilat janë zbrazur dhe me këto ligje vjedhin xhepat e qytetarëve.
FARIJE DAUTI- BAKIU
