Ekonomistët, në 2022 RMV e angazhuar për rikuperimin ekonomik, Baush: Shqipëria dhe Serbia rritje më të madhe ekonomike

02.01.2022 17:53

Sfidat me të cilat është përballur vendi për vitin 2021....

Sfidat me të cilat është përballur vendi për vitin 2021 do të detyrojnë autoritetet që edhe në vitin 2022 të angazhohen për një rikuperim ekonomik, thonë ekonomistët. Rritja ekonomike në RMV sipas Bankës Botërore parashihet në 3.7 përind  dhe fondi Monetar Ndërkombëtar në 4.2 përqind.

Ajo me të cilën mund të përballen qytetarët në vitin 2022 është rritja e indeksit të çmimit të konsumatorit.

“Presim një rritje të GDP nga intervali prej 3.7 deri në 4.6 përqind që do të thotë do të kemi një ekonomi si vitet e tjera normale. Presim një vit ku kemi krizë energjetike, ku do të kemi rritje të rrymës dhe është veçmë projektimi prej 9.48 përqind, ku normal do të ndikoj tek zinxhiri i furnizimit të produkteve dhe prodhimit. Edhe pse optimist nga projektimi i buxhetit që do të kemi dhe investime kapitale, do të presim një vit edhe si viti 2021 ku presim të dalim nga pandemia por do ta rikuperojmë ekonominë dhe jemi në fazën e rikuperimit kështu që diçka rritje senzacionale që do të kemi rritje dhe zhvillim ekonomik nuk presim” – tha ekonomisti, Abil Baush.

Rritje më të lartë ekonomike pritet të kenë shtetet të cilat kanë investuar në sektorin energjetik.

“Sa u përket shteteve në rajon, kemi shtete të cilat kanë filluar të investojnë në furnizimet me energji elektrike dhe sa u përket gjtha shteteve të rajonit nuk pritet lëvizje e madhe ekonomike, por te shtetet si Serbia dhe Shqipëria mund të ketë rritje më të madhe ekonomike. Kosova ka një ekonomi çuditërisht ekspanzioniste,  ato janë një lloj ekonomie që ripërtrijnë dhe janë në zhvillim e sipër dhe mund të kenë një lloj rritje ekonomike” – deklaroi Baush.                                            

Baush thotë se vendet e BE-së do ta kenë më lehtë të dalin nga kriza ekonomike, duke shfrytëzuar edhe ndihmat e Unionit. (Gazmend Rexhepi, TVM2)