Maqedoni

Osmani: Bisedime me Bullgarinë, pasi ta votojnë qeverinë

03.01.2022 11:41

Në bisedimet e reja me Sofjen presim qasje konstruktive për dallimet dypalëshe...

Në bisedimet e reja me Sofjen presim qasje konstruktive për dallimet dypalëshe por kjo do të ndodh pasi që të votohet qeveria e re bullgare, tha ministri i jashtëm, Osmani. Pret që  të kthehet besimi mes palëve, të vazhdojnë bisedimet për çështjet që janë në tavolinë si dhe të zhbllokohet procesi eurointegrues. 

 
“Parashohim intensifikim të komunikimeve qysh në fillim të javëve të vitit por gjithsesi duhet të votohet  qeveria e re në parlamentin bullgar por në ndërkohë do të punojmë në përgatitjen e aktiviteteve të cilat do ti realizojmë pas  votimit të qeverisë. Kuptohet se qëllimi i takimit është kthimi i raporteve në atmosferë normale evropiane, kthimi i besimit dhe angazhimi i përbashkët në tejkalimit e kësaj sfide.”, tha Bujar Osmani, ministër i jashtëm.
 
Osmani për deklaratën e Ramës: S'ka thënë ndarje me RMV-në, por kanë të drejtë
 
Osmani komentoi edhe deklaratën e kryeminsitrit shqiptar Rama. Tha se qëndrimi i tij nuk është transmetuar tërësisht por thotë se Shqipëria ka të drejtë të ndahet nga blloku me shtetin thotë. Megjithatë vlerësoi se grupimi joformal politik i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në interes të të dyja shteteve.
 
“E kam dëgjuar deklaratën dhe ai tha se do ti pyesim qytetarët nëse mendojnë se duhet të shkëputemi nga RMV, poqëse Bullgaria për 6 muaj  nuk tërhiqet nga vetoja, pra konsultim me qytetarët e jo vendim se Shqipëria do të kërkojë të vazhdojë rrugën vet… Sidoqoftë, Shqipëria ka të drejtë të kërkojë diçka të atillë, formalisht individual.”, tha Osmani.
 
Këto komente ministri Osmani i tha në  pres konferencë ku kumtoi  kryesimin e vendit me OSBE-në në vitin 2023, e njohur si treshja e OSBE-së, që përfshin   kryesuesin e vitit të kaluar Suedinë, atë të këtij vitit Poloninë dhe vendin tonë vitin e ardhshëm.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU