Maqedoni
Përbërja e re qeveritare, LSDM: Pas krishtlindjeve, propozimi në kuvend
03.01.2022 15:25
Mandatari për formimin e qeverisë së re Dimitar Kovaçeski vazhdon bisedimet...

Mandatari për formimin e qeverisë së re Dimitar Kovaçeski vazhdon bisedimet me partnerët e koalicionit për formimin e qeverisë së re. Pas festave të krishtëlindjeve pritet të publikohen emrat e ministrave. Mësohet se ministra të ri do të ketë në sektorin e shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes, arsimit, punës dhe politikës sociale, shoqërisë informatike, bujqësisë.
“Kryetari i LSDM – së Kovaçevski dhe njëherësh mandatar publikisht e tha se nuk do të pres afatin e paraparë ligjor për qeveri të re dhe më herët do të dorëzojë propozimin për qeveri deri tek kuvendi. Vijojnë bisedime intensive me partnerët e koalicionit, të cilat pritet të përfundojnë gjatë kësaj jave ose në fillim të javës që vjen dhe atëherë propozimi për përbërjen e qeverisë së re të dorëzohet në kuvend.”, tha Kostadin Acevski nga LSDM.
Opozita hodhi akuza në përpjekjet e mandatarit Dimitar Kovaçevski për të kompletuar kabinetin e tij. Sipas partisë së Mickovskit nuk ka asgjë të re në kabinetin e ri, përpos vazhdimësisë së politikave të ish kryeministrit Zaev.
“Është evidente se listën e ka përpiluar Zoran Zaev ndërkaq piuni Kovaçevski është këtu që ta zbatojë. Kjo është një përbërje që duhet të mbrojë Zaevizmin, për fat të keq në dëm të qytetarëve në Maqedoni. Kjo është një përbërje që do të thotë vazhdim të krimit, të korrupsionit dhe dështimeve të Maqedonisë.”, tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO–DPMNE–së.
Kuvendi seancën për votimin e përbërjes së re qeveritare dhe programit qeverisës, pritet ta caktojë kah mesi I muajit. Sipas deklarimeve të kryeparlamentarit Talat Xhaferi, seanca do të caktohet më 15 janar dhe do të mbahet në sallën plenare.
MERALE ISMAILI
