Maqedoni
Kontesti bullgar dhe integrimi, Lorer: Integrimi i RMV është interes i Bullgarisë
03.01.2022 16:07
Viti 2022 fillon me sinjale positive nga pala bullgare...

Viti 2022 fillon me sinjale positive nga pala bullgare. Ministri bullgar i Inovacionit Daniel Lorer thotë se interesi kombëtar i vendit të tij është që Maqedonia e Veriut të anëtarësohej në Bashkimin Evropian dhe se fillimi i negociatave me Shkupin duhet të jetë një synim i rëndësishëm për diplomacinë bullgare.
“Me një dialog të zgjeruar dhe pozitiv me palën maqedonase do të arrihen kushtet jo vetëm historike, por edhe ekonomike, akademike dhe kulturore për marrëdhëniet mes dy vendeve. Duhet të ndodhë që secila palë të ndihet shumë më e sigurt në atë dialog," tha Lorer për Radion Nacionale Bullgare “BNR”.
Trifonov kërkon favore për heqjen e bllokadës: SHBA të heq vizat, BE t’na pranojë në Shengen
Ndërkohë, lideri i lëvizjes bullgare “Ka një popull të tillë”, Slavi Trifonov, kërkon të përfitojë nga kontesti bullgaro-maqedonas. Sugjeron që Bullgaria të lejojë Maqedoninë e Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nëse vendi pranohet në zonën Shengen dhe Shtetet e Bashkuara heqin vizat për qytetarët bullgarë.
“Tani ne jemi më pak evropianë sesa evropianë të vërtetë. Kështu që unë kërkoj që menjëherë të mos ketë viza për qytetarët bullgarë për në Shtetet e Bashkuara dhe të bëhemi menjëherë anëtarë të zonës Shengen”, shkruan Trifonov.
Në shkrimin e tij, lideri i lëvizjes “Ka një popull të tillë” thotë se rreth njëqind mijë maqedonas kanë pasaportë bullgare dhe se për ta marrë atë pasaportë duhet të vërtetohen rrënjët bullgare. Kërkon largimin e gjuhës së urrejtjes në tekstet e historisë, ku sipas tij shkruhet se bullgarët janë fashistë.
Trifonov përkujtoi se më 10 janar do të mbahet takim këshillues me presidentin Rumen Radev për të diskutuar për Maqedoninë e Veriut.
SHPËTIM NUREDINI
