Ivan Ilievski me kërkesë deri te Qeveria: Të subvencionohet transporti publik në Shkup
Drejtori i Ndërmarrjes për Transport Publik, Ivan Ilievski, kërkon ndihmën e Qeverisë...

Drejtori i Ndërmarrjes për Transport Publik, Ivan Ilievski, kërkon ndihmën e Qeverisë, pasi një ditë më parë çmimi i metanit u rrit nga 50 në 110 denarë. Ai thotë se me këtë çmim të ri, kostot e kompanisë do të dyfishohen, ndërsa kompania është në gjendje të vështirë financiare.
“Kërkojmë ndihmë dhe subvencione nga Qeveria, gjithashtu edhe rregullimin e çmimit të metanit për tregun e vendit. Duhet të përfshihet edhe Komisioni Rregullator, të marrë një vendim për ngrirjen e çmimeve duke përfshirë çmimin e metanit në 31 12 2021. 33 autobusë MAN të rinj qarkullojnë me metan. Vitin e kaluar karburanti i ka kushtuar rreth 1 milion euro, me çmimin e ri do t'u duhen 2 milion euro.”,- tha drejtori i Ndërmarrjes për Transport Publik, Ivan Ilievski.
Ai thotë se nëse nuk plotësohen kushtet dhe nëse Qyteti i Shkupit nuk mund të japë subvencione shtesë, atëherë opsioni i fundit është të zvogëlohet orari, gjegjësisht të ruhet orari dimëror. Por, Ilievski përjashtoi mundësinë e shtrenjtimit të biletave. (Sedat Selimi, TVM2)
