Ekonomi

Besimi: 130 milion euro për tejkalim të krizës energjetike

04.01.2022 14:35

Shteti ka siguruar 130 milion euro të cilat mundet të përdoren për tejkalimin e krizës energjetike.....

Shteti ka siguruar 130 milion euro të cilat mundet të përdoren për tejkalimin e krizës energjetike, informoi ministri i financave, Fatmir Besimi. Ai tha se pret që në gjysmën e dytë të vitit të stabilizohet situata me krizën energjetike dhe me çmimet. Besimi informoi se nuk do të ketë rritje të taksave.
 
“Nuk do të ketë tatime për krizën energjetike, 100 milion në vitin 2021 janë dhënë për EMV-në. Në vitin 2022 që prej në janar 10 milion euro do të transferohen për EMV-në si kapitalizim. 30 milion euro do të mundet EMV-ja apo ndonjë kompani tjetër energjetike t’i shfrytëzojë për program për zhvillim të gjelbër. 90 milion euro shtesë ka siguruar shteti për masa anti-krizë kundër Covid-19, përfshi këtu edhe krizën energjetike. Ato janë gjithsej 130 milion euro, të cilat i ka për momentin në buxhetin e vitit 2022.”,- tha ministri i financave, Fatmir Besimi.
 
VMRO-DPMNE: Qeveria ka dështuar në planin energjetik
 
Por, nga VMRO-DPMNE thonë se me LSDM-në dhe BDI-në në qeveri nuk ka ardhmëri për sektorin energjetik në vend. Nga partia më e madhe opozitare shprehen se pushteti po gënjen popullatën se energjia elektrike do të shtrenjtohet për 10%, por se çmimi do të rritet për 15%.
                
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe heqja e tarifës së lire gjatë ditës, do të shkaktojnë varfërim të buxhetit familjar për më shumë se 15%. Gjithë kjo në kombinim me veç më çmimet e shtrenjtuara të ushqimit nëpër markete është dëshmi e mjaftueshme se LSDM e shkrumboi Maqedoninë. Dhe e gjithë kjo po ndodh sepse LSDM ka menduar vetëm për tenderët në REK Manastir, në vend që të kujdeset për krizën për të ndihmuar konsumatorët e mëdhenj dhe për të shpëtuar ekonominë vendase.”,- u shpreh Stefçe Antovski nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: VMRO derisa ishte në pushtet e hoqi tarifën e lirë
 
Nga LSDM kundërpërgjigjen se pikërisht në kohën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë është rritur për 100%. Në atë kohë, Hristijan Mickovski, ishte edhe këshilltar për energjetikë i Nikolla Gruevkit dhe pastaj drejtor I EMV-së, thonë nga LSDM. 
 
“Pa pasur krizë globale energjetike, VMRO-DPMNE e hoqi tarifën e lirë ditore dhe më pas si opozitë e kundërshtoi kthimin e saj. Sot qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja edhe në kushtet e krizës globale energjetike ndërmerr masa për përballimin e saj, si dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe ekonomisë. Të gjitha kapacitetet në dispozicion për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet vendase aktivizohen me kohë për të reduktuar varësinë nga importi i energjisë elektrike të shtrenjtë, e cila ndikon drejtpërdrejt në çmimin e energjisë elektrike.”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. 


ERSAN PAJAZITI