Botë
Kovid-19, Omikron gjithnjë e më dominant në rajon dhe botë
04.01.2022 15:04
Autoritetet në Mal të Zi thonë se Omikron po bëhet dominant në rastet e infektimit me Kovid 19 në këtë vend...

Autoritetet në Mal të Zi thonë se Omikron po bëhet dominant në rastet e infektimit me Kovid 19 në këtë vend. Kjo ka ndikuar në rritje për 450% të rasteve brenda dy javësh në këtë vend. Më 3 janar, autoritetet kanë raportuar për 12,507 raste aktive me Kovid 19, nga 3,310 raste aktive sa kishte para shtatë ditësh. Vetëm në 24 orët e fundit, janë regjistruar 1,703 raste të reja. “Shumica e pacientëve të rinj janë të grup-moshës 20 deri në 40 vjeç”, bëjnë të ditur nga Instituti I shëndetit publik në Mal të Zi. Por numri i viktimave është ulur për 11 për qind. Në gjithë shtetin janë hospitalizuar 169 pacientë derisa 29 prej tyre – të infektuar me koronavirus – janë në rrezik për jetë.
Rastet me Omikron janë regjistruar edhe në Shqipëri, Kosovë dhe shtetet tjera të rajonit. Ditët e fundit të dhjetorit dhe ditët e para të janarit po tregojnë një tendencë përkeqësimi edhe në Shqipëri. Nga 28 dhjetor deri më 3 janar, rastet e reja janë rritur për 68.8 për qind më shumë duke kapur shifrën e 3343 të infektuarve.
Në Kosovë situate duket pak më stabile. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se në klinikat Covid-19 dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 6 pacientë të konfirmuar me Covid-19 dhe 29 të tjerë post-Covid.
Ndërkohë në Francën jugore shkencëtarët kanë zbuluara një variant i ri i virusit korona me 46 mutacione. Varianti i ri i Covid-19 u zbulua për herë të parë tek një pacient që u kthye në Francë nga Kameruni. Studiuesit thanë se është shumë herët për të vlerësuar tiparet e tij. Varianti i ri, i quajtur B.1.640.2, u zbulua në 12 pacientë që jetonin në të njëjtën zonë gjeografike në Francën juglindore, tha një ekip shkencëtarësh javën e kaluar.
Ndërkohë një studim i ri amerikan, ka konstatuar se virusi korona mund të stimulojë prodhimin e autoantitrupave, sulmon organet dhe indet. Muaj pas shërimit nga infeksioni, njerëzit mund të kenë nivele të larta të antitrupave që mund të sulmojnë gabimisht organet dhe indet e tyre, madje edhe te pacientët që kanë pasur simptoma të lehta ose aspak, ka zbuluar hulumtimi i ri i amerikan.
Një qytet në Kinën qendrore u fut në izolim për të frenuar përhapjen e Covid-19. Autoritetet lokale në Juzhoi në provincën Henan njoftuan se të gjithë 1,2 milionë banorët duhet të qëndrojnë të mbyllur brenda në banesa pas raportimit të vetëm 2 rasteve simptomatik të dielën dhe një rasti të tretë gjatë të hënës.
GYLTENE SINANI
