Maqedoni
Qeveria e re, partitë e vogla të përfshira në bisedime
04.01.2022 15:19
Partitë e vogla janë në bisedime me mandatarin, Dimitar Kovaçevski, në formimin e kabinetit të ri qeverisës....

Partitë e vogla janë në bisedime me mandatarin, Dimitar Kovaçevski, në formimin e kabinetit të ri qeverisës. Ato do të duhet të përfaqësohen në ekzekutiv me tre ministra pa resor. Me hyrjen në qeveri të Alternativës, kuadri i tyre duhet të drejtojë tre ministri si dhe ministrinë për diasporë. Nga LSDM të cilët nuk publikojnë emrat e mundur të ministrave thonë se i gjithë procesi do të rrumbullakohet javën që vjen.
“Bisedimet po zhvillohen edhe me partitë më të vogla politike. E gjithë ajo që do të ndodh në periudhën që vijon, gjegjësisht këtë javë, do të jetë vendim i përbashkët i të gjitha partive politike të shumicës parlamentare. Pritjet janë që deri të martën të dorëzohen të gjitha emrat për ministra në qeverinë e re.”,- u shpreh deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Shekerinska: Mbrojtjen ta drejtojë profesionist
Mësohet se ministra të ri do të ketë në sektorin e shëndetësisë, kulturës, mbrojtjes, arsimit, punës dhe politikës sociale, shoqërisë informatike, bujqësisë. Ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, thotë se në sektorin që drejton ajo duhet të vij njeri që mirë njeh edhe rregullat e punës së NATO-s.
“Kjo është detyrë e mandatarit. Unë ia përcolla mendimin tim se bëhet fjalë për një sektor të ndjeshëm, sektor në të cilin nuk vlejnë vetëm rregullat e brendshme të përgjegjësisë, por edhe rregullat e NATO- s për përgjegjësi.”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Arsovski: Shteti do të zhytet në kriza të reja
Nga VMRO–DPMNE me akuza të sërishme se kabineti i ri do ta zhyt vendin akoma më shumë në krim dhe kriza të reja.
“Ajo përbërje qeveritare pritet ta mbroj zaevizmin, krimin e tyre dhe ta mbroj nga dëshmia për zhvatje pasi në fakt ai është fajtori. E gjithë kjo përbërje parlamentare do të punoj në dëm të qytetarëve, do të thotë vazhdim të krimit, korrupsionit, të dështimeve për Maqedoninë dhe zhytje në kriza të reja në të ardhmen.”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Sipas afatit që ka caktuar vetë mandatari, Dimitar Kovaçevski, deri të martën në kuvend do të dorëzohen emrat e ministrave, ndërkaq të njëjtit pritet që të votohen më 15 janar.
MERAL ISMAILI
