Maqedoni
ASh: Vendi dështoi në menaxhimin e pandemisë
04.01.2022 15:31
Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar autoritetet vendore se kanë dështuar në përballjen me virusin Korona....

Aleanca për Shqiptarët ka akuzuar autoritetet vendore se kanë dështuar në përballjen me virusin Korona. Siç thonë nga kjo parti, jorastësisht RMV radhitet ndër vendet më të rrezikuara në botë. Bekim Tateshi nga ASH thotë se shkaqet për gjendjen e rëndë në shëndetësi kanë qenë: keq-menaxhimi i pandemisë, infrastruktura e vjetruar dhe politikat kadrovike.
“Gjatë vitit 2021 shteti kaloi valën e tretë dhe të katër, ndërsa politik-bërësit shëndetësorë nuk e pritën këtë virus të përgatitur. Si pikë e dytë është infrastruktura e vjetruar, nuk u mbajt premtimi për ndërtimin e Qendrës së re Klinike në Shkup, spitalit në Shtip, Strugë, përfundimi i ndërtimit të ndërtesës së re në Kërçovë. Sa i përket politikave kadrovike, vlen të theksohet se nuk janë respektuar politikat e meritokracisë.”,- deklaroi Bekim Tateshi nga ASh.
ASh për vitin 2022 tha se duhet të bëhet një fushatë më e madhe për vaksinim dhe në këtë fushatë të kyçen ekspertë, sektori joqeveritar, punonjësit fetarë etj.
ASh: Nuk po respektohet Ligji për Nënshtetësi
Nga ASh njëherit theksojnë se Ligji për Nënshtetësi nuk po respektohet.
“Nëse nuk kemi shtet për të gjithë, atëherë nuk mund të kemi as shoqëri për të gjithë. Diku rreth 8000 banorë presin për shtetësi edhe pse ligji ka kaluar të gjitha filtrat e mundshme në parlament dhe ai më duhet të aplikohet. Prandaj unë edhe njëherë apeloj që shteti duhet këto gjëra t’i respekton e sidomos këtu i drejtohem Agjencisë për Siguri Nacionale që mos të japë kështu kategorizime të panevojshme.”,- u shpreh Bekim Tateshi nga ASh.
ASh do të angazhohet që të sigurojë avokatë për secilin rast, e më pas grupi parlamentar i ASh-së do të ndërmarrë masa të tjera demokratike në kuadër të Parlamentit.
FITIM KRYEZIU
