Ekonomi

2021, të hyrat në buxhet tejkaluan parashikimet

04.01.2022 15:40

Edhe përkundër krizës nga koronavirusi edhe gjatë 2021 që lamë pas..

Edhe përkundër krizës nga koronavirusi edhe gjatë 2021 që lamë pas, janë shënuar rezultate pozitive në efikasitetin e punës së DAP, madje edhe kanë tejkaluar pritjet e Ministrisë së Financave. Në Buxhetin për vitin 2021, të hyrat e përgjithshme shënuan rritje prej 15.3% krahasuar me vitin 2020, ndërsa deficiti është realizuar në vlerë prej 38.8 miliardë denarëve ose 5.4% të PBV-së, që është më i ulët se deficiti i projektuar për vitin 2021 në nivel prej 6.5%. 
 
“Kemi rezultate të shkëlqyera në efikasitetin e punës së DAP-it edhe atë krahasuar si me vitin 2020, po ashtu edhe me 2019…Përcollëm një vit që e përfunduam me zhvillime pozitive në ekonomi edhe përkundër ndikimit që kishte Covid-19, ndikimeve nga presioni mbi çmimet në bursat botërore por edhe padyshim kriza energjetike.”,- u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi.
 
Prioritet i DAP-it edhe gjatë vitit 2022 do të jetë lufta kundër ekonomisë gri, thekson drejtoresha e tatimeve, Sanja Llukarevska.
 
“Punojmë së bashku në strategjinë për reformë në sistemin tatimor 2021/25, në planin aksionar për ndalimin e ekonomisë gri, kemi punuar së bashku në ligjin për TVSh-së dhe një sërë zgjidhjesh të tjera ligjore që dalin nga komunikimi ynë i përditshëm edhe me personat juridikë, por edhe me ato ekonomikë që ndërlidhen me DAP-in.”,- theksoi drejtoresha e DAP-it, Sanja Llukarevska.
 
Besimi dhe Llukarevska thanë se masat dhe politikat e përgjithshme që janë realizuar kontribuuan që viti 2021 ta përfundojmë me rritje ekonomike prej 4.1%. Në vitin 2022 përkushtimi do të vijojë ndaj kujdesit për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtimit të rritjes njëkohësisht me konsolidimin fiskal dhe përkrahjen e proceseve reformuese në gjyqësor dhe integrimet euroatlantike.
 
ZEKIRJA MEXHITI