Mblidhet Këshilli Nacional për Eurointegrime, prioritetet e kryesimit francez me BE-në - pikë referimi
Këshilli Nacional për Eurointegrime....

Këshilli Nacional për Eurointegrime do të caktojë prioritet e tij pasi Franca të ketë paraqitur prioritetet e saj për kryesimin gjashtë mujor me Bashkimin Evropian. Këshilli pret që Qeveria e re bullgare të jetë më konstruktive në bisedimet për heqjen e vetos për Maqedoninë
Ndërkaq, mundësia që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut në këtë rrugëtim, nëse kjo e fundit ngec për shkak të kontestit me Bullgarinë, deputetët konsiderojnë se kjo do të ishte sinjal i keq.
“Thjesht ajo do të ishte mesazh i gabuar për gjithë rajonin. Sa di unë kjo ide nuk gjeti pëlqimin e në BE dhe mendoj se s’ka për të ndodhur. Besoj se në periudhën që vjen do të fillojmë bisedimet për anëtarësim në BE, së bashku me Republikën e Shqipërisë.”,- tha anëtari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Zeqir Ramçilloviq.
Anëtarët e Këshillit Nacional, pavarësisht taborit politik, konsiderojnë se vendi nuk duhet të shkel deklaratën e miratuar në Kuvend, ku përcaktohen të ashtuquajturat, vijat e kuqe. Gjithsesi pritjet janë që bisedimet me BE-në të fillojnë gjatë presidencës franceze, edhe pse kjo nuk varet nga ne.
“Pozita e Maqedonisë është e qartë. Ne kemi pozitë të përbashkët të miratuar këtu në Kuvend dhe s’ka zhvendosje nga ai pozicion. Gjithsesi nëse qeveria vendos që të lëviz nga ato pozicione ne do t’i kundërvihemi ashpër.”,- u shpreh kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Aleksandar Nikollovski.
Pavarësisht ritmit të bisedimeve me Bullgarinë dhe gjetjen e zgjidhjes së përbashkët, Këshilli Nacional për integrime konsideron se kjo çështje nuk rrezikon sigurinë dhe stabilitetin.
Vendi mbetet i përkushtuar në gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, ndërsa integrimi në BE është prioritet pa alternativë.
Seanca e radhës e Këshillit Nacional për Eurointegrime pritet të mbahet nga mezi i janarit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
