Botë
Kovid-19, shifra të larta infektimesh në rajon dhe botë
05.01.2022 13:56
Në vendet e rajonit ditëve të fundit po regjistrohen shifra të larta me Kovid-19....

Në vendet e rajonit ditëve të fundit po regjistrohen shifra të larta me Kovid-19. Shqipëria ka vendosur masa të reja kufizuese të cilat obligojnë të punësuarit në administratën publike, qendrat tregtare dhe super-marketet patjetër të paraqesin certifikatë të vaksinimit me dy doza, ose teste PCR çdo 5 ditë. Kosova ka ashpërsuar masat në kufi duke mundësuar futjen në territorin e saj, vetëm për personat e vaksinuar me dy doza.
“Nata e Vitit të Ri ishte e qetë, implementuam gjithçka, maska, distancë, nuk kishte muzikë, kishim pak mysafirë, por asgjë nuk ishte si më parë. Përballemi me virus që përhapet shpejt tek të punësuarit. Me probleme po përballen edhe sektori privat edhe ai publik.”,- deklaroi një qytetar.
Edhe Mali i Zi dhe Greqia shënojnë numër të madh infektimesh. Greqia ka ashpërsuar masat deri më 17 janar. Autoritetet në Serbi presin rritje të shifrave në 10 ditët e ardhshme ku është regjistruar prania e Omicron e festat shihen si rrezik për përhapjen e virusit.
Në Francë paralajmërohen masa restriktive për të pavaksinuarit, nga 15 janari ata nuk do të mund të futen në kafene e restorante. Edhe Italia ka njoftuar për 259 vdekje nga COVID-19, derisa një ditë më parë ishin raportuar 140 fatalitete.
Me variantin Omikron po përballen edhe SHBA-të ku infektimet ditore kanë arritur në një milion. Presidenti amerikan Biden ka kërkuar nga amerikanët të vaksinohen, por edhe të vazhdojë testimi dhe përdorimi i pilulës anti Kovid të Pfajzerit.
“Pilulat po shpëtojnë jetë. Për shkak të procesit të komplikuar nevojiten muaj që ato të prodhohen, por prodhimtaria po punon me kapacitet të plotë. Ato në mënyrë dramatike do t’i zvogëlojnë hospitalizimet dhe vdekshmërinë nga Kovid-19.”,- theksoi presidenti i ShBA-ve, Xho Biden.
Me rritje të infektimeve po përballen edhe Australia dhe Brazili. OBSh njofton se Omicron tani për tani po manifeston simtoma më të lehta te pacientët, por përhapja e shpejtë po rrezikon kapacitetet shëndetësore.
GYLTENE SINANI
