Maqedoni
Kumanovë, gjendje stabile me pandeminë e virusit Korona
05.01.2022 14:25
Situata me pandeminë e virusit Korona, fatmirësisht në rajonin e Kumanovës paraqitet të jetë stabile dhe e qetë.....

Situata me pandeminë e virusit Korona, fatmirësisht në rajonin e Kumanovës paraqitet të jetë stabile dhe e qetë. Kështu tregojnë të dhënat e fundit nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit të Kumanovës. Numër të konsiderueshëm të vizitave për trajtim nga pacientët vërejnë në Repartin e Pediatrisë dhe atë Intern.
“Presim rritje të infektimeve por jo numër drastik të pacientëve me Covid-19, por edhe me sëmundje të tjera patologjike. Spitali modular qysh para festave të Vitit të Ri është mbyllur, pra si pasojë e numrit të ulët të të hospitalizuarve, për momentin kemi diku mbi 11 pacientë të hospitalizuar në Repartin Infektiv, pozitiv me Covid-19. Repartet e pediatrisë dhe ai Intern, kanë rritje të numrit të pacientëve, karakteristikë e virozave sezonale të cilat paraqiten rregullisht muajve të vjeshtës dhe dimrit, të them të drejtën me paraqitjen e pandemisë sikur harruam virozat sezonale, pra këto viroza më shumë prekin fëmijët.”,- tha drejtoresha në Spitalin e Kumanovës, Snezhana Zaharieva.
Megjithëse javëve të fundit në Kumanovë numri i rasteve shënoi ulje, nga Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë presin që ky numër të rritet, si pasojë e grumbullimeve dhe mosrespektimit të protokolleve shëndetësore të njerëzve gjatë festave të Vitit të Ri, aktualisht numri i rasteve aktive arrin në 109.
FATLUM AQIFI
