Maqedoni
Kriza energjetike, përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE
05.01.2022 14:51
Kriza energjetike përplasi sërish pushtetin dhe opozitën.....

Kriza energjetike përplasi sërish pushtetin dhe opozitën. Deputetja Marija Georigevska theksoi se Qeveria ka ndërmarrë të gjitha masat për të zbutur krizën nga rritja e energjisë, përmes subvencionimit për kategoritë e rrezikuara. Premtoi se gjatë periudhës në vijim do të vijojnë masa tjera.
“60 milionë denarë janë paraparë për ndihmë financiare për rreth 7.500 familje të cilat gjatë gjithë vitit do të marrin nga 600 deri në 800 denarë për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike. Krahas kësaj mase do të ketë edhe masa të tjera në ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë. Për këtë qëllim, në Buxhetin e këtij viti janë paraparë 130 milionë euro për përballimin e krizës energjetike, prej të cilave rreth 90 milionë euro janë për masat direkte kundër krizës që do të zbatohen gjatë vitit.”,- deklaroi Marija Georgievska nga LSDM.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i opozitares VMRO-DPMNE. Thonë se paaftësia e LSDM-së për vetëm dy muaj iu kushtoi qytetarëve me rritje të çmimit të energjisë dhe 86 milionë euro të çuara dëm.
“Masa e parë e Kovaçevskit është rritja e energjisë elektrike dhe ngrohjes për qytetarët. Kovaçevski e ka rritur rrymën për 15%, kështu që qytetarët që kanë paguar faturën prej 3.000 denarë, nga ky muaj do të paguajnë 450 denarë më shumë. Masa e dytë e Kovaçevskit është rritja e çmimit të ngrohjes. Në vetëm dy muaj, qeveria shpenzoi 86 milionë euro për blerje të energjisë elektrike të shtrenjtë. Qeveria nuk ka gërmuar qymyr në kulmin e verës dhe ka mbetur pa qymyr në mes të sezonit të ngrohjes. Kjo ishte arsyeja që ne nuk kishim energji të mjaftueshme dhe u 86 milionë për blerje të energjisë elektrike të shtrenjtë.”,- u tha nga VMRO-DPMNE.
Nga ky muaji Komisioni Rregullator i Energjetikës vendosi që të shtrenjtojë energjinë elektrike për 9.48%, ndërsa hoqi edhe tarifën e lirë ditore nga ora 14:00 deri në orën 16:00, e cila ka kursyer rreth pesë për qind në faturat e amvisërive.
ZEKIRJA MEXHITI
