Botë
"Caminando Fronteras", rritet numri i emigrantëve dhe fatalitetet
05.01.2022 15:51
Vazhdon të rritet numri i refugjatëve në Europë e me këtë edhe fatalitetet....

Vazhdon të rritet numri i refugjatëve në Europë e me këtë edhe fatalitetet. Roja kufitare polake së fundmi ka nënshkruar marrëveshje për të ndërtuar një gardh mbrojtës në kufirin me Bjellorusinë, pasi rreth 40,000 emigrantë u përpoqën të hyjnë në Poloni vitin e kaluar. Sipas autoriteteve, gardhi do të jetë 186 km i gjatë, pesë metra i lartë dhe pritet të përfundojë deri në fund të qershorit.
Po këtë vit sipas Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe më shumë se 28.300 persona arritën në mënyrë të paligjshme në brigjet britanike përmes Kanalit të La Manshit, që është tri herë më shumë se në vitin 2020. Më 24 nëntor, vdiqën 27 vetë, sepse varka e tyre e mbipopulluar u mbyt.
Edhe autoritetet spanjolle kanë raportuar se numri i refugjatëve që vijnë me varka është dyfishuar. Në vitin 2021 më shumë se 4.400 emigrantë kanë vdekur gjatë përpjekjes për të arritur në Spanjë përmes detit, shkruan organizata spanjolle e ndihmës "Caminando Fronteras" në raportin e saj vjetor.
Vetëm në rrugën nga Afrika Perëndimore drejt Ishujve Kanarie kanë gjetur vdekjen 4.016 persona, pra nuk ka pasur kurrë kaq shumë vdekje sa në vitin 2021. Shifrat e organizatës spanjolle janë rreth tri herë e gjysmë më të larta se ato të Organizatës së OKB-së për Migracionin (IOM).
LEUNORA KALIQI
