Formimi i qeverisë së re, Kovaçevski takon partnerët e koalicionit
Mandatari për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski....

Mandatari për formimin e qeverisë së re, Dimitar Kovaçevski, po finalizon marrëveshjet me partnerët e koalicionit qeverisës për të precizuar përcaktimet programore të Programit Qeveritar dhe përbërjen e Qeverisë së re. Këto dy tema janë diskutuar edhe në takimin me kreun e Alternativës, Afrim Gashi.
“Mes tjerash folëm edhe për të ardhmen e shtetit dhe planin qeveritar për shtet me orientim europian dhe progresiv. Alternativa, si pjesë e qeverisë së re, do të jetë e përkushtuar në avancimin e shtetit drejt familjes europiane dhe ndërtimin e shtetit progresiv.”- njofton Gashi.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, konfirmoi takimin me mandatarin e ri. Zbuloi edhe kërkesat për përkrahjen e Qeverisë së re.
“Prioritetet tona që shpresojmë se do të jenë pjesë e Programit të Qeverisë janë që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, që Parlamenti të jetë pasqyrë reale e vullnetit të qytetarëve. Kërkojmë miratimin e një ligji për luftë kundër formave të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe të ketë përsëritje të procedurës për të gjitha proceset gjyqësore të montuara.”,- u shpreh kryetari i LD-së, Pavle Trajanov.
Mandatari Kovaçevski pritet që më 11 janar të dorëzojë në Kuvendin republikan propozim Programin Qeveritar dhe përbërjen e Qeverisë së re.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi njoftoi se Kuvendi mund të diskutojë për qeverinë e re edhe gjatë ditëve të fundjavës, më 15 dhe 16 janar, kur edhe pritet të zgjidhet Qeveria e re, me qëllim që nga 17 janari, ditë e hënë, përbërja e re qeveritare përkatësisht, ministrat e rinj të jenë në detyrë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
