Covid-19, nuk ka stërmbushje të kapaciteteve spitalore
Në Klinikën Infektive nuk ka stërmbushje të kapaciteteve.....

Në Klinikën Infektive nuk ka stërmbushje të kapaciteteve spitalore edhe përskaj rritjes së numrit të të infektuarve me Kovid-19.
Në 24 orët e fundit në këtë klinikë janë kontrolluar mbi 100 pacientë, thekson për TVM2 infektologia Arlinda Osmani Lloga.
Shumica prej tyre kanë simptoma të lehta dhe do të mjekohen në kushte shtëpiake, por ende është herët të flitet se a do të ketë valë të re infektimesh.
“Ato që janë me simptoma më të lehta shkojnë në kushte shtëpiake, ende për momentin nuk është rritur përqindja e pacientëve që kërkojmë trajtim spitalor, por do ta ndjekim gjendjen ende është herët të flasim sepse dje kemi një pikë të numrit të pacientëve pozitiv tani do të shohim se si do të rrjedhin gjërat.”,- tha infektologu, Arlinda Osmani Lloga.
Mehmedoviç: Mund të ketë përkeqësim në ditët në vijim
Por, mjeku Zllate Mehmedoviç pret përkeqësim drastik të situatës epidemiologjike në vend.
“Mund të presim që nëse kemi kapacitet për testim, të presim 5 mijë deri në 6 mijë të infektuar për një ditë. I bëj këto krahasime me vendet që kanë sistem solid të testimit, p.sh. Shba ku gjatë 24 orëve të fundit kemi numër rekord të të infektuarve 1 milion brenda 24 orëve.”,- u shpreh mjeku, Zllate Mehmedoviç.
Variantet e reja të Covid-19, Lloga: Testet e shpejta nuk e detektojnë
Omicron dhe gripi sezonal kanë simptomatologji pothuajse të njëjtë dallojnë vetëm në periudhën e inkubacionit, e cila është më e gjatë te Kovidi. Testet e shpejta që blihen në farmaci nuk e konfirmojnë diagnozën.
“Testet e shpejta nuk munden ta detektojnë variantin e ri të Sars Cov 2 dhe llojin britanik, por nëse personat kanë nevojë për mjekim nga mjeku specialist atëherë duhet të bëjnë test PCR dhe kjo fillon nga mjeku amë deri te mjekët specialistë që të përcaktohet.”,- u shpreh infektologu, Arlinda Osmani Lloga.
Deri më tani nuk ka masa të reja për mbrojtje nga përhapja e Kovid-19. Komisioni për Sëmundje Infektive nuk do të propozojë ndryshime për shkurtimin e periudhës për izolim. Në mbledhjen e ardhshme javën që vjen do të flitet për mundësinë e ndryshimeve. (Flutura Latifi, TVM2)
