Maqedoni

ASh kritikon lirimin e Kamçevit: Bleu lirinë me paratë e vjedhura nga qytetarët

05.01.2022 17:48

Aleanca për Shqiptarët me akuza ndaj funksionimit të gjyqësorit pas lirimit të biznesmenit, Orce Kamçev...

Aleanca për Shqiptarët me akuza ndaj funksionimit të gjyqësorit pas lirimit të biznesmenit, Orce Kamçev, nga paraburgimi, i ngarkuar për rastin “Parcelat në Vodno”.
 
Aleanca për Shqiptarët thonë se pas shumë kriminelëve, në formë të njëjtë lirinë e bleu edhe Orce Kamçev, një nga të akuzuarit kryesor për veprat më të rënda të keqpërdorimit të parave të qytetarëve. Me garancion prej 11 milionë euro, javën e kaluar u lirua nga paraburgimi edhe ish-shefi i shërbimit sekret në Maqedoninë e Veriut, Sasho Mijallkov.
 
“Po lirohet edhe një bashkëpunëtor i regjimit të kaluar dhe regjimit aktual hibrid të udhëhequr nga Ahmeti-Mijallkov-Zaev. Edhe Kamçev njëjtë si Mijallkov, po e blen lirinë pikërisht me paratë të cilat dyshohet se i ka vjedhur nga xhepi juaj. Ky rast ashtu edhe si në rastet paraprake vetëm se konfirmon atë që ne e deklarojmë me vite. Në Maqedoninë e Veriut mafia ka bërë shtet, mafia fiton shtetësi, ndërsa qytetarët që nuk kanë 11 milionë euro mbahen të pafajshëm në burgje.”,- deklaroi deputeti i ASh-së, Adnan Neziri.
 
Procesi gjyqësor “Zhvatje”, VMRO-DPMNE: Prokuroria të hapë lëndë ndaj Zaevit
 
VMRO–DPMNE ndërkohë kërkon nga Prokuroria Publike që të nis procedurë kundër ish kryeministrit, Zoran Zaev, dhe vëllait të tij për përfshirje në rastin gjyqësor “Zhvatja”. Akuzojnë se gjyqësori kontrollohet nga  Zoran Zaev.
 
“Prokuroria përfundimisht a do të hap lëndë për Zoran Zaevin dhe vëllanë e tij që e vërteta të dalë në pah? Deri kur prokuroria do të fsheh fajtorët kryesorë të rastit “Zhvatja”? Deri ku janë paditë penale që ka ngritur Bojan Jovanovski ndaj personave të pushtetit, në mesin e të cilëve deri tek maja e LSDM-së? U dëshmua se vitet e fundit gjyqësori është i kontrolluar nga Zoran Zaevi.”,- theksoi zëdhënësi i VMRO–DPMNE–së, Dimçe Arsovski.
 
Sipas opozitës, prokuroria ka kursyer nga hetimet ish kreun e ekzekutivit, duke mos dhënë as detaje ndaj ekspertizës së telefonave të tyre.
 
MERAL ISMAILI