Urimet e kreut shtetëror: Shëndet, unitet dhe mirëqenie
Shëndeti publik, mirëqenia dhe uniteti....

Shëndeti publik, mirëqenia dhe uniteti janë të përbashkëtat në urimet e kreut shtetëror dhe atij politik me rastin e festës së madhe të krishterë Lindja e Krishtit – Krishtlindja.
“Festa e madhe na dhëntë energji plus që të ballafaqohemi me të gjitha fatkeqësitë dhe tundimet dhe na inspiroftë me fisnikëri, virtyt, solidaritet dhe unitet. Me dëshirë të sinqertë dhe me vetëbesim të thellë të krijojmë suksese dhe mirëqenie.”- shkruan presidenti në urimin e tij.
Ndërkaq, kryeparlamentari Talat Xhaferi konsideron se përhapja e mendimeve pozitive të shpresës, besimit, të respektit të ndërsjellë dhe mirëkuptimit, të humanizmit, sakrificës dhe bashkimit, janë obligim i secilit prej nesh.
“Ky vit ishte veçanërisht i vështirë dhe pikëllues për vendin tonë, për qytetarët tanë dhe unë shpresoj se kurrë më nuk do të gjendemi para sfidave të atilla si vend, si qytetarë dhe si qenie njerëzore dhe apeloj te të gjithë Ju, të nderuar, të jemi akoma më të përgjegjshëm ndaj vetes, ndaj të gjithëve përreth nesh dhe ndaj shtetit, bashkë dhe të unifikuar t’i tejkalojmë edhe krizën pandemike dhe të gjitha sfidat tjera që na dalin si pengesë në rrugë.”,- shkruan Xhaferi në urimin e tij.
Kryeministri në largim, Zoran Zaev, fton qytetarët në unitet, mirëkuptim dhe harmoni.
“ Vlerat familjare, ngrohtësia dhe respekti, le të përhapen mes gjithë qytetarëve. Të mendojmë dhe të ndihmojmë të gjithë qytetarët. Edhe ata që, në periudhën që kaloi, humbën ndonjë të afërt ose përballen me vështirësi të tjera.” – shkruan Zaev në urimin e tij për Krishtlindje.
Edhe mandatari për kryeministër Dimitar Kovaçevski, ka uruar besimtarët për festën e Krishtlindjes.
“Ju uroj shëndet të mirë, gëzim në zemrat tuaja dhe mirëqenie në vatrat tuaja.” – shkruan Kovaçevski.
Ndërkaq, kreu i opozitës Hristijan Mickovski veçon rëndësinë e mendimit të pastër dhe veprave të mira si parakusht për paqe shpirtërore.
“Në tryezat, këtë vit, për fat të keq, do të kemi hidhërim për shkak të krizës ekonomike dhe skamjes gjithnjë më të madhe. Gjëra që nuk e lënë njeriun indiferent dhe duhet të jenë nxitje për të ndryshuar gjërat.”,– shkruan kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, në urimin për Krishtlindje. (Shpëtim Nuredini , TVM2)
