Formimi i Qeverisë, Kasami: E Vetmja zgjidhje janë zgjedhjet

06.01.2022 17:02

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami....

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pasi që, sipas tij, mandatari Dimitar Kovaçevski do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë e re.

Në vlerësimin e dhënë për Kosovapress, Kasami shton se situata vështirësohet me problemet ndërfqinjësore si dhe skenës së luhatur politike me të cilat përballet vendi.

“Ne kemi situatë të rënduar ndëretnike në Maqedoninë e Veriut ku kemi kështu pozicionime dhe shitblerje të partive politike dhe të deputetëve, pra në këto rrethana kur krijohen kështu situata diskutabile dhe problematike, unë vlerësoj që kushdo që të jetë mandatar i ri, do ta ketë vështirë që të formojë një koalicion të shumicës dhe një koalicion për të bërë edhe qeverinë. Mbetet të shohim ditët në vijim se si do të jenë zhvillimet politike, por unë besoj që në këto rrethana e vetmja zgjidhje për Maqedoninë e Veriut janë zgjedhjet sa më të shpejta.”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Për zgjedhje të parakohshme në vazhdimësi janë shprehur edhe ASH dhe VMRO–DPMNE duke e vlerësuar pushtetin aktual si të delegjitimuar.

Opozita vlerëson se kabineti i ri në krye me Dimitar Kovaçevskin do të jetë vazhdimësi e politikave të ish kryeministrit Zoran Zaev.

Ndërkohë, mandatari Kovaçevski, po zhvillon bisedime me të gjitha partitë e koalicionit për të kompletuar kabinetin qeverisës që deri të martën propozimin t’ia dorëzojë kuvendit. Kabineti i Kovaçevskit pritet të votohet më 15 janar. (Meral Ismaili, TVM2)