Maqedoni

Tiranë, vazhdojnë përplasjet e dy grupeve në PD, grupi i rithemelimit hasi në dyer të mbyllura

06.01.2022 18:43

Në Shqipëri vazhdojnë mosmarrëveshjet brenda Partisë Demokratike...

Grupi i pakënaqur nga udhëheqësia aktuale dhe kryetari i partisë Lulzim Basha, para protestës së paralajmëruar nga grupi i rithemelimit i udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha për ditën e shtunë, sot iu drejtuan selisë blu, ku gjetën sërish dyer të mbyllura.
 
Anëtari i PD-së, Aldo Bumçi, mbylljen e derës e cilësoi si kriminale dhe projekt për të zhdukur opozitën, por me bindje u shpreh se protesta e thirrur nga Berisha për ditën e shtunë do ta çlirojë këtë “bunker” dhe shtëpinë tua kthejë demokratëve.
 
Kishim caktuar një mbledhje pune dhe vend tjetër për ta bërë veç shtëpisë tonë nuk ka. Tashmë është shtëpi e mbyllur është kthyer në një bunker, ka deklaruar Bumçi.
 
“Ka qenë një derë e hapur përherë. Çdo parti në Shqipëri i ka dyert e hapura. Pyetja është e thjeshtë? Kujt të mire i shërben kjo. Të më gjejë dikush një të mirë që opozita të kthehet në bunker, në burg. Nuk i shërben askujt veçse Lulzim Bashës që të mbajë karrigen e tij dhe Edi Ramës. Ky turp, kjo shëmti, është kriminale, projekti për të zhdukur opozitën. Kjo është opozita e Lul Bashës, por ka dhe një tjetër, ajo që mbushi “Air Albanian” por ditën e shtunë do e çlirojë këtë bunker dhe ta kthejë në shtëpinë e demokratëve.”,- deklaroi Aldo Bumçi nga Partia Demokratike e Shqipërisë.