Botë

Vriten dhjetëra protestues, Qeveria e Kazakistanit kërkon ndihmë nga Rusia

06.01.2022 19:11

Dhjetëra protestues u vranë nga policia në Kazakistan gjatë natës së të mërkurës...

Dhjetëra protestues u vranë nga policia në Kazakistan gjatë natës së të mërkurës, ndërsa protestat e dhunshme vazhduan në të gjithë vendin. 
 
Në një njoftim të policisë thuhet se forcat ekstremiste u përpoqën të sulmonin ndërtesat administrative dhe departamentin e policisë në Almaty, si dhe departamentet dhe postat e policisë lokale.
 
“Dhjetëra sulmues janë eliminuar dhe identitetet e tyre po hetohen”, tha zëdhënësi i policisë sovjetike të Azisë Qendrore, Saltanat Azirbek, i cili e quajti vrasjen e tyre një “operacion anti-terrorist”.
 
Organizatat joqeveritare flasin  për dhjetra të vdekur, por deri tani nuk ka shifra të sakta. Rusia dhe vendet që i përkasin Organizatës së Traktatit për Sigurinë Kolektive, që bashkon gjashtë shtete ish-sovjetike,  do të dërgojnë një “forcë paqeruajtëse” në Kazakistan, për një kohë të kufizuar për të stabilizuar dhe normalizuar situatën në vend, të shkaktuar  sipas tyre, nga “ndërhyrja e jashtme”. Kërkesa për ndihmë nga vendet aleate erdhi nga presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev. 
 
“Grupet terroriste në esencë janë ndërkombëtare, kanë kaluar trajnime serioze jashtë vendit dhe sulmi i tyre në Kazakistan, mundet dhe duhet të trajtohet si akt agresiv. Për këtë arsye i jam drejtuar shefave të Organizatës së Traktatit për Sigurinë kolektive t’i ndihmojë Kazakistanit ta tejkalojë këtë kërcënim terrorist.”,- tha presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev.
 
Detyra e këtyre forcave  do të jetë mbrojtja e objekteve të rëndësishme shtetërore dhe ushtarake, ndihma për forcat e zbatimit të ligjit të Kazakistanit në stabilizimin e situatës dhe kthimin e saj në fushën ligjore.
 
Në misionin paqeruajtës kolektiv nga pala ruse u përfshinë edhe njësitë ushtarake të Forcave Ajrore. Shtëpia e Bardhë dhe OKB, u kërkuan autoriteteve të Kazakistanit të tregohen të përmbajtur në trajtimin e krizës. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje te të gjitha palët të shmangin dhunën. 
 
“Me shqetësim jemi duke e ndjekur situatën në Kazakistan. Mendoj që është shumë me rëndësi të gjitha palët e përfshira në këto ngjarje aktuale të jenë të përmbajtur dhe të promovojnë dialog në zgjidhjen e të gjitha çështjeve relevante.”,- theksoi zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric.
 
Uashingtoni hodhi poshtë dhe ato që i quajti “pretendime të çmendura ruse” se pas demonstratave masive është dora amerikane duke i quajtur si “absolutisht të rreme dhe si pjesë e qartë e librit standard rus të dezinformimit”.
 
Kazakistani është trazuar që nga fillimi i vitit nga protestat që filluan pas rritjes së çmimeve të karburanteve dhe eskaluan në përleshje me policinë dhe djegien e ndërtesave qeveritare. 
 
LEUNORA KALIQI