Botë

Arrestime të reja në rastin “Brezovica”

06.01.2022 19:42

Shtatë persona janë arrestuar sot në Kosovë, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që ende po zhvillohet...

Shtatë persona janë arrestuar sot  në Kosovë, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës që ende po zhvillohet,  lidhur me rastin “Brezovica”.
 
Bastisje po zhvillohen në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nëntë lokacione të tjera në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë. Në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Ministrisë dhe pesë qytetarë. Zyrtarët dyshohen për marrje ryshfeti derisa qytetarët për dhënie ryshfeti.
 
Në fund të dhjetorit të vitit 2021, Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
 
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
 
Nikolliq dhe të arrestuarit e tjerë dyshohet se kanë marrë vila, vetura dhe dhurata të tjera në këmbim të lëshimit të lejeve për ndërtimin e vilave dhe objekteve të tjera në Parkun Kombëtar “Sharri”, ku gjendet edhe Brezovica,  e njohur për qendrën e skijimit.
 
Nëse vërtetohet se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.