Maqedoni
Qeveria e re, javën që vjen mandatari publikon emrat
07.01.2022 16:04
Afatet kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re rrjedhin teksa mandatari Dimitar Kovaçevski...

Afatet kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re rrjedhin teksa mandatari Dimitar Kovaçevski pritet ta dorzojë edhe zyrtarisht në Kuvend përbërjen e Qeverisë së re së bashku me programin e ri qeveritarë në fillim të javës së ardhshme. Qeveria e re ka mbështetjen e 64 deputetëve pas marrëveshjes mes kryeministrit në dorëheqje Zoran Zaev me kryetarin e Alternativës Afrim Gashi.
Sipas marrveshjes Alternativa do të përfaqësohet me 3 ministra, edhe atë Bekim Sali në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, Admirim Haliti në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Xhemail Çupi si ministër për diasporën. BDI do të mbajë ministrat e njëjtë, përveç asaj se Jeton Shaqiri transferohet nga Ministria e Shoqërisë Informatike në njërin nga resorët që do ti takojnë kësaj partie.
Ndryshimet më të mëdha priten në LSDM. Disa prej ministrave të kësaj partie që bartnin funksione të rëndësishme në Qeverinë e Zaevit, nuk do të jenë pjesë e Qeverisë së Kovaçevskit. Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska dhe ajo e Arsimit Milla Carovska konfirmuan se nuk do të jenë pjesë e Qeverisë së re, ndërsa në pikëpyetje është edhe posti i Oliver Spasovskit si Ministër i Brendshëm.
Ndërkohë kreu i VMRO-DPMNE-së thotë se nuk pret asgjë të re nga qeveria e re.
“Një person që merr përsipër të jetë i mandatuar për kryeministër pa pasur legjitimitetin e popullit të tregon mjaftueshëm se për çfarë karakteri dhe çfar personaliteti bëhet fjalë. Nuk pres asgjë të re, përveç vazhdimit të politikave të Zaevit”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Siç ka paralajmëruar kryeparlamentari Xhaferi, nëse më11 janar paraqitet në kuvend propozim për qeverinë e re, ai mund të caktojë seancë jo më vonë se më datën 15 janar. Për zgjedhjen e qeverisë së re do të debatohet dy ditë, ndërsa për ta votuar kërkohet një shumicë prej të paktën 61 deputetësh.
NAIM RAMADANI
