Maqedoni
VMRO – DPMNE, akuza për keqmenaxhimin e pandemisë
08.01.2022 17:38
Maqedonia e udhëhequr nga Qeveria e Zoran Zaev dhe Venko Filipçe arriti në 8000 të vdekur nga KOVID....

Maqedonia e udhëhequr nga Qeveria e Zoran Zaev dhe Venko Filipçe arriti në 8000 të vdekur nga KOVID. Ky është një numër i madh dhe këta nuk janë thjesht numra të zakonshëm, por njerëz, fate dhe familje, thonë nga VMRO - DPMNE
“Maqedonia ka vdekshmërinë më të lartë në rajon. Mijëra e mijëra familje në Maqedoni e kanë kaluar golgotën e këtij sistemi katastrofik shëndetësor të Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes, ku nuk ka as shtretër, as ilaçe, as oksigjen, as ambulancë. Maqedonia ishte vendi i fundit në Evropë që mori vaksinat, vendi i fundit në Evropë. Rezultati është katastrofik. Rezultati është një fiasko dhe një debakli. 8,000 njerëz vdiqën nga KOVID.”, tha Vllatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
LSDM: VMRO keqpërdor pandeminë për qëllime politike
Por nga LSDM I kundërpërgjigjen akuzave të VMRO – DPMNE-së. Thonë se kjo parti vazhdon me përpjekjet e dëshpëruara për të përfituar politikisht nga kriza koronare, për të përhapur frikë dhe panik te qytetarët, duke keqpërdorur, fatkeqësisht, të vdekurit nga pasojat e Covid-19 dhe të afërmit e tyre.
“Duke promovuar shqetësime të rreme për gjendjen e koronavirusit, ata gënjejnë se nuk kishte analiza, se nuk kishte ilaçe, se nuk kishte spitale të mjaftueshme, ata ndanë mjekët në tanët dhe tuajin, pretenduan se korona nuk ekzistonte. Bllokuan kreditë për pajisjen e spitaleve, nxitën qytetarët në mosrespektimin e masave mbrojtëse. VMRO-DPMNE-ja opozitare nuk ka kuptim për interesat shtetërore dhe kombëtare, gjithmonë, në çdo situatë i vë interesat partiake para interesave të qytetarëve," thuhet në reagimin e LSDM-së.
VLORA LATIFI TOPOJANI
