Botë
Të paktën 31 viktima nga i ftohti në Indi, tre të vdekur nga vërshimet në Sri Lankë
23.12.2014 11:54
Të paktën 31 persona e humbën jetën në valën e ftohtë e cila e përfshiu shtetin federal verior indian Utar Pradesh, njofton DPA, duke iu referuar mediave lokale...

Temperaturat minimale në rajon luhaten midis 2,5 dhe 3,5 gradë Celsius, ndërsa moti i keq është shoqëruar edhe me mjegull të ftohtë. Të gjitha shkollat në Utar Pradesh janë mbyllur deri më 28 dhjetor.
Sipas meteorologëve temperaturat në një pjesë të Indisë Veriore dhe Qendrore do të mbeten të ulëta në tri ditët e ardhshme.
Valët e ftohta rregullisht marrin dhjetëra viktima në Indi, pasi që një numër i madh i njerëzve në vend jetojnë nën qiell të hapur, nuk kanë veshje përkatëse dhe nuk i ngrohin shtëpitë.
Të paktën tre persona e humbën jetën në vërshimet dhe rrëshqitjen e tokës, të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në mbarë Sri Lankën, kumtuan autoritetet lokale. Vërshimet, të cilat zgjasin për të tretën ditë, dëmtuan mbi 1.900 shtëpi, ndërsa mbi 60.000 persona janë evakuuar./mia
