Maqedoni
Kodra e Diellit, shpëtohen personat që humbën shkaku i mjegullës
09.01.2022 16:52
Gjithsej 30 persona kanë humbur gjatë ditës si pasojë e mjegullës dhe uljes së dukshmërisë në Kodrën e Diellit...

Gjithsej 30 persona kanë humbur gjatë ditës si pasojë e mjegullës dhe uljes së dukshmërisë në Kodrën e Diellit. Nga qendra e skijimit Kodra e Diellit bëjnë të ditur se janë gjetur personat dhe tre prej tyre janë lënduar.
“Të lënduarit janë shpëtuar nga shërbimet e shpëtimit në një vend të aksesueshëm ku me ndihmën e Emergjencave Mjekësore, njëri prej tyre është dërguar në objektin mjekësor për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në qendrën e skijimit.
Ndryshe, për shkak të mjegullës dhe për shkaqe sigurie janë ndalur teleferiku prej gjashtëvendësh, teleferiku dyvendësh “Ceripashina” dhe skilifti “Ge”. Më herët MPB-ja njoftoi se në orën 10:30, dy qytetarë tetovar të moshës 15 dhe 19 vjeç kanë raportuar se për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike dhe mjegullës së dendur në Kodrën e Diellit, afër skiliftit të ri GE, ku janë ngjitur për të skijuar, ata humbën dhe më pas nuk e dinin saktësisht se ku gjenden.
“Policët e Drejtorisë së Policisë Kodra e Diellit dhe ekipet e “Elem Tours”, menjëherë kanë ndërmarrë masat përkatëse për gjetjen e tyre dhe kanë gjetur dy shtetasit e Tetovës, si dhe 7 persona të tjerë nga Shkupi, Kumanova dhe Kosova të cilët po ashtu kanë humbur në atë rajon”, thonë nga Ministria e Brendshme.
