Maqedoni

E diela ditë jopune, ISHP: Vendimi në përgjithësi respektohet

09.01.2022 18:26

Kaluan dy të diela ditë jopune që kur u fuqizuan ndryshimet në Ligjin për Marrëdhënie Pune..

Kaluan dy të diela ditë jopune që kur u fuqizuan ndryshimet në Ligjin për Marrëdhënie Pune. Nga Inspektorati Shtetëror i Punës thonë se në përgjithësi vendimi po respektohet. Deri më tani në Shkup janë  bërë 24 kontrolle inpektoriale, ndërkaq, për tre subjekte është dhënë vërejtje pasi që nuk kanë paralajmëruar organet gjegjëse se do të punojnë të dielën.
 
“Janë realizuar 24 kontrolle inspektorale ku është vërtetuar parregullsi vetëm në mosparaqitjen se do të punohet edhe të dielën, për të cilat kanë pasuar tre vendime.”, tha Olivera Lazarevska, inspektore në Inspektoratit Shtetëror.
 
Qytetarët kanë mirëpritur vendimin e qeverisë. Thonë se përveç punës, familja duhe të ketë një ditë të lirë për ta kaluar së bashku. Disa prej tyre kërkojnë që edhe të shtunën të mos punohet.
 
“Mendoj se qytetarët realisht e meritojnë. E diela duhet të jetë e lirë, për t'u shëtitur, pra mendoj se është punë e mirë.”, u shpreh një qytetare.
 
“Duhet edhe e shtuna të jetë ditë jopune.”, tha një qytetar.
 
“Po të mundet edhe të shtunën të mos punohet, atëherë do të bëhej shumë mirë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Kjo është e mirë për klasën punëtore. Punëdhënësit e mëdhenjt  ta kuptojnë se  nga klasa punëtore varet gjithçka.”, tha një qytetar.
 
Nga 1 janari e diela ligjërisht është ditë jopune. Sipas përllogaritjes së Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ditës së fundit të javës do t'ju gëzohen 92% e punëtorëve në nivel shtetëror.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU