Maqedoni
Pronarët e autobusëve privat në Shkup, kërkesë për subvencione nga qeveria
10.01.2022 17:08
Pronarët e autobusëve privatë që shfrytëzojnë metanin si karburant kërkojnë ndihmën e qeverisë...

Pronarët e autobusëve privatë që shfrytëzojnë metanin si karburant kërkojnë ndihmën e qeverisë sepse siç thonë nuk mund ta përballojnë koston pas rritjes së çmimit të metanit.
Kryetar i Shoqatës së transportuesve privat Lenin Jovanovski thot se qeveria ka mundësi të subvencionojë pasi që bëhet fjalë për 54 autobusë, pronarët e të cilëve ishin të stimuluar të blejnë autobusë të tillë për ti kontribuar ruajtjes së ambientit.
“Qeveria duhet të ndërhyjë me subvencione, të cilat do të na ndihmojnë në transportin publik për ta kapërcyer këtë situatë. Nuk është një shumë e madhe që do të jepte qeveria sepse bëhet fjalë për 54 autobusë që qarkullojnë në transportin publik dhe mendoj se kjo nuk është diçka që nuk mund të ndihmohet. Qeveria ka formë, sidomos nëse dihet se të gjitha derivatet tjera i janë nënshtruar taksave ekologjike me tre denarë. Besojmë se nga ai burim tani mund të intervenohet sepse bëhet fjalë për gazin e kompresuar i cili aktualisht është më ekologjiku”, u shpreh kryetari i Shoqatës së transportuesve privat Lenin Jovanovski.
Pronarët e autobisëve privat thonë se që nga fillimi i pandemisë po përballen me probleme, sidomos me masat që u ndërmorën për zvogëlimin e numrit të automjeteve në qytetin e Shkupit, që do të thotë të ketë më pak autobusë.
Të gjithë i kanë shtuar autobusët për të ulur numrin e pasagjerëve, ndërsa në vendin tonë është marrë kundërmasa për të kursyer fonde është zbatuar reduktimi i orareve thotë Jovanovski.
FARIJE DAUTI BKAIU
