Botë

Auditorët: BE shpenzoi 700 milionë euro, nuk u përmirësua sundimi i ligjit në Ballkan

10.01.2022 20:37

Auditorët e Bashkimit Evropian thanë se qindra milionë euro që janë ndarë në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor...

Auditorët e Bashkimit Evropian thanë se qindra milionë euro që janë ndarë në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, që kishin për qëllim përmirësimin e sundimit të ligjit, thjesht nuk po japin rezultate.

Raporti i Gjykatës Evropiane të Auditorëve, që njihet me akronimin ECA, u publikua më 10 janar. Në të thuhet se shtetet e Ballkanit shpesh vazhdojnë të tregojnë mungesë të angazhimit për të trajtuar çdo gjë, nisur nga korrupsioni e deri te ndërhyrja e shtetit, që do t’iu ndihmonte atyre që të përparonin drejt anëtarësimit në BE.

Pasi vetë po përballen me shumë probleme, 27 shtetet e BE-së kanë zvarritur procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës. Në të njëjtën kohë, ndikimi i Kinës dhe Rusisë është rritur në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor qartazi nuk ka qenë e suksesshme që të sjellë ndryshime”, tha Juhan Parts, autor i raportit të ECA-së.

Raporti prej 52 faqesh tregon sesa pak është arritur me ndihmën prej 700 milionë eurosh që BE-ja ka dhënë për rindërtimin e institucioneve në rajon në periudhën 2014-2020. Edhe më shumë është shpenzuar gjatë dy dekadave të fundit, kur shtetet e Ballkanit dolën nga sundimi komunist, lufta dhe konfliktet e brendshme dhe nisën të hedhin bazat e demokracisë perëndimore.

Në raport u tha se BE-ja shpesh përdor shumë karota dhe jo mjaftueshëm shkopinj, teksa investimet në projekte të ndryshme kanë dështuar që të kenë ndikim në shoqëri.

Raporti gjeti “disa zhvillime pozitive, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut”. Raporti tha se problemet kryesore në shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të lidhura me pavarësinë e gjyqësorit, përqendrimin e pushtetit, ndikimin politik dhe korrupsionin.