“Pfajzer”, vaksinë që do të shënjestrojë variantin Omikron
Kompania amerikane, Pfizer, është duke zhvilluar një vaksinë....

Kompania amerikane, Pfizer, është duke zhvilluar një vaksinë me kompaninë partnere nga Gjermania, BioNTech, për të kombinuar vaksinën aktuale kundër koronavirusit me një formulë tjetër, që do të shënjestrojë variantin Omicron.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka thënë më 10 janar se formula e re e vaksinës, që do të shënjestrojë Omicronin, do të jetë gati për të fituar miratimin e rregullatorëve amerikanë në muajin mars.
Duke komentuar edhe deklaratat e ekspertëve tjerë, Bourla ka thënë se vaksinat kundër koronavirusit mund të kthehen të doza të përvitshme, të ngjashme me ato të gripit stinor.
Shefi ekzekutiv i kompanisë, Moderna, Stephane Bancel, ka thënë javën e kaluar se njerëzve mund t’iu duhet edhe një tjetër dozë e vaksinës në vjeshtën e këtij viti. Varianti Omicron i koronavirusit përhapet më shpejt se variantet tjera, mirëpo është më pak i ashpër, sidomos për personat e vaksinuar.
