Vdekjet Covid në Europë, Kosova, RMV e Shqipëria me rritjen më të madhe

11.01.2022 12:11

Lokalet e mbushura plot....

Lokalet e mbushura plot, qëndrimet në ambientet e brendshme dhe lëvizjet në urbanë pa maska, mungesa e distancimit social, të krijojnë idenë se në vend pandemia është vetëm një kujtesë e largët.

Por, të dhënat e Eurostat dhe statistikat kombëtare , tregojnë se Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Kosova ka pasur goditjen me të fortë nga pandemia për humbjen e jetëve të njerëzve, sidomos në verën e 2021, me një rritje prej 43.4%, e ndjekur nga vendi ynë me  42.6% dhe Shqipëria me 36.6% .

Maqedonia e Veriut deri në 26 dhjetor 2021 ka vaksinuar 40% të popullsisë,  Kosova, deri në 9 janar 2022 kishte dhënë doza për 50% të popullsisë dhe Shqipëria deri në 9 janar kishte vaksinuar 41% të popullsisë.

Të tria shtetet mbeten shumë më pas mesatares së Bashkimit Europian, që deri në fillim të janarit ka dhënë të paktën një dozë për 73% të popullsisë dhe 70% i kanë marrë të dyja dozat.

Më mirë në rajon e ka përballuar situatën Serbia, me rritje të fataliteteve shtesë prej 12.2%. Më pak fatalitete në Europë kanë shënuar vendet nordike.

Norvegjia është e vetmja në Europë që me fillimin e pandemisë nuk ka njohur rritje të vdekshmërisë shtesë (-1.2%). Në Danimarkë, Islandë, Finlandë, rritja ishte minimale midis 1 dhe 3%.

Gjermania, shteti që ka qenë i rreptë me masat kufizuese ka parë një rritje të fataliteteve shtesë që nga marsi 2020 me 4.2%. Suedia, shteti që refuzoi që në fillim ndërmarrjen e masave kufizuese, në mënyrë që të mos shkelte lirinë e banorëve të saj,  ka rezultuar me një rritje të vdekjeve shtesë prej gati 6%, më të lartë sesa fqinjët, por më të ulët se shtetet e tjera të Europës.

Muajt e dimrit pritet ta kenë përkeqësuar tendencën, teksa edhe sipas deklarimeve zyrtare ka pasur një shtim të fataliteteve, duke filluar nga tetori. (Merita Gashi, TVM2)