Meta, takime me krerët shtetërorë në Shkup
Presidenti shqiptar, Ilir Meta....

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, ka nisur vizitën në Maqedoninë e Veriut, me vendosjen e luleve te pllaka ku dikur ndodhej shtëpia e Nënë Terezës. Ai me këtë rast ka bërë thirrje që të jetësohet e mbahet gjallë vepra e Nënë Terezës.
Në një postim në Facebook, Meta thekson se e ka nisur vizitën pikërisht me nderimin më të madh ndaj shembullit frymëzues dhe humanizmit të Shenjtores së madhe të kombit shqiptar dhe mbarë njerëzimit, Nënë Terezës.
“I lumtur të nis zyrtarisht vizitën time në Maqedoninë e Veriut, me nderimin më të madh ndaj shembullit frymëzues dhe të përjetshëm të dashurisë në veprim, solidaritetit dhe humanizmit të Shenjtores së madhe të kombit shqiptar dhe mbarë njerëzimit, Nënë Terezës. Të krenohemi me Shën Terezën vetëm duke jetësuar dhe mbajtur gjallë veprën dhe mesazhet e saj të mençura plot shpresë dhe dashuri për jetën dhe njeriun!”, shkruan presidenti Meta.
Gjatë vizitës janë paraparë edhe takime me krerët shtetërorë në vend, përfshi presidentin Stevo Pendarovski dhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi.
Njëherit Meta në ligjëratën mbi temën “Shqiptarët në mileniumin e ri – sfidat dhe perspektivat”, në Institutin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve, tha se është me rëndësi që të gjithë shqiptarët kudo që janë të mbisundojnë vlerat euroatlantike.
