SHBA dhe Rusia, pa marrëveshje për Ukrainën
Gjatë bisedimeve të djeshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.....

Gjatë bisedimeve të djeshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, zëvendëssekretarja e Shtetit, Wendy Sherman, e quajti “të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë” bisedën me përfaqësuesin e delegacionit rus, zëvendësministrin e Jashtëm Sergei Ryabkov.
Sherman tha se Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të qartë në bisedimet për garancitë e sigurisë se ishin të gatshme të diskutonin instalimin e raketave në Evropë, por se nuk pajtoheshin me kufizimet për pranimin e vendeve të reja në NATO.
Ajo theksoi se negociatat për çështjet e sigurisë nuk mund të përfundojnë në një periudhë të shkurtër kohore – në ditë apo javë.
“Kishte një diskutim sot për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin, si dhe prioritetet dhe shqetësimet e njëri-tjetrit. Nuk quheshin kështu negociatat,” tha ajo.
Sipas saj, Shtetet e Bashkuara i ofruan Rusisë që të takohen për të diskutuar sërish për këtë çështje së shpejti.
Sherman tha se gjatë bisedimeve, pala amerikane i la të kuptohet Rusisë se pasojat e pushtimit të Ukrainës do të jenë shumë më të rënda se në vitin 2014.
Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara e përkufizojnë de-përshkallëzimin si kthimin e ushtarëve rusë në kazermat e tyre ose informimin e Shteteve të Bashkuara se çfarë ushtrimesh po kryhen në Rusi dhe cili është qëllimi i tyre.
“Ata mund të dëshmojnë se nuk kanë ndërmend të pushtojnë duke kthyer trupat në kazermë ose duke na thënë se çfarë ushtrimesh po kryhen dhe cili është qëllimi i tyre”, tha ajo duke shtuar se SHBA ende nuk e di nëse Rusia është gati për këtë lloj depërshkallëzimi.
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov i quajti negociatat “të vështira”. Ai tha se Moskës i duheshin garanci, jo premtime. Sipas tij, mos anëtarësimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë në NATO është çështje e sigurisë kombëtare të Rusisë.
Ai theksoi se Moska i kishte shpjeguar në detaje Uashingtonit logjikën e propozimeve të saj dhe shpjegoi pse marrja e garancive ligjore për mospërhapjen e NATO-s ishte një imperativ absolut.
Takimi mes delegacioneve ruse dhe amerikane zgjati rreth 7.5 orë dhe u mbajt me dyer të mbyllura.
