Virusi Korona bllokon 20 milionë njerëz në Kinë
58 raste pozitive të konfirmuara të hënën me Covid 19....

58 raste pozitive të konfirmuara të hënën me Covid 19, kanë mjaftuar për të bllokuar më shumë se 5 milionë banorë në Kinë.
Autoritetet shëndetësore vendosën kufizime në qytetin Anyang, si pjesë e të ashtuquajturës “strategji zero-Covid” që Kina ka aplikuar prej javësh, ku qytete të tëra janë bllokuar pas identifikimit të disa rasteve të vetme me Covid-19.
Kjo strategji u prezantua në momentet më kritike të pandemisë, kur u tentua të eliminohej çdo rrezik i përhapjes së infeksionit.
Anyang, i cili ndodhet në provincën e Henanit është qyteti i tretë më i madh ku është vendosur një bllokim në javët e fundit, pas zbulimit të disa rasteve me koronavirus. Qyteti i parë që u bllokua ishte Xi’an, ku jetojnë 12 milionë njerëz dhe që ndodhet në provincën Shaanxi, ndërsa qyteti i dytë është Yuzhou, që ka 1.2 milionë banorë dhe ndodhet në provincën Henan.
Në total, janë pothuajse 20 milionë njerëz në izolim në Kinë.
Banorët e Anyangut janë urdhëruar që të mos dalin nga shtëpitë e tyre, përveç rasteve të jashtëzakonshme. Aktualisht është e paqartë se sa do të zgjasë bllokimi.
Sidoqoftë, situata më shqetësuese është ajo e Tianjin, një qytet i madh rreth 100 kilometra larg Pekinit, ku u regjistrua një shpërthim në një shkollë dhe ku u zbuluan dy të infektuar si pasojë e variantit Omicron.
Për momentin ky qytet nuk është bllokuar, ndërsa testi Covid iu është imponuar të kryhet 15 milionë banorëve të tij.
Rastet e zbuluara në Tianjin janë shqetësuese për shkak të afërsisë së këtij qyteti me Pekinin dhe afrimit të Vitit të Ri Kinez me datë 1 shkurt, ku qindra miliona qytetarë udhëtojnë brenda vendit për t’u takuar me të afërmit e tyre.
Një problem tjetër konsiderohet edhe organizimi i Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat pritet të fillojnë me datë 4 shkurt.
