Maqedoni

Zgjerohet parkimi sezonal, Kasami: Parkimi falas shkaktoi kaos në Tetovë

11.01.2022 17:08

Mungesa e ujit, parkingjeve, komunikacion i sterngarkuar e në kaos, janë vetëm disa nga problemet në komunën e Tetovës...

Kreu i saj, Bilall Kasami, thotë se ka një plan afatgjatë për problemin e parkimeve, duke  zgjeruar zonat e parkimit me pagesë e me ndërtimin e  parkingjeve në kate në Tetovë dhe Kodrën e Diellit.
 
Teksa prezantoi ndërtimet në 5 faza të parkimeve të reja me kate e parkimit zonal që përfshijnë 3730 vende deri në fund të vitit, Kasami arsyetoi vendimin për rikthimin e parkimit  me pagesë, për të cilin gjatë fushatës premtoi se do të hiqet, me faktin se premtimi ka vlejtur për periudhën dymujore, por  ka shkatuar probleme në komunikacion. 
 
“Diku dy muaj parkingu në Tetovë ishte pa pagesë, por ajo shtoi shqetësim shtesë për qytetarët,  rriti kaosin në komunikacion nga shkaku se ne nuk kishim të drejtë institucionale të bëjmë rregullimin e komunikacionit. Për të rregulluar çështjen e parkingut në Tetovë dhe komunikacionin, detyrimisht Ndërmarrja e Parkingut duhet të operojë. Për të operuar ndërmarrja aty ka të punësuar, ata të punësuar për momentin janë dy apo tre muaj pa rroga. Ne nëse duam të rregullojmë këtë çështje, detyrimisht u dakorduam se duhet të jetë parkingu me pagesë.”,- tha kryetari i komunës së Tetovës, Billall Kasami.
 
Për problemin me ujin për pije që mungon me ditë të tëra në Tetovë, Kasami tha se nuk ka pranim-dorëzim për projektin e ujësjellësit dhe ka urdhëruar një grup ekspertësh për revizion.
 
Ai thotë se gypi kryesor nuk e ka trashësinë e nevojshme për sasinë e ujit që duhet të përçojë, e kjo bën që ai të plasë shpesh duke sjellë restrikcionet e kohëve të fundit. 
 
VISAR SADIKI