Maqedoni
Meta: Punojmë fuqishëm, që Shqipëria dhe RMV të ecin në rrugën drejt BE-së
11.01.2022 17:32
Nuk duam dhe nuk punojmë për ndarjen e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në rrugën drejtë BE-së...

Punojmë dhe fuqishëm bëjmë përpjekje që të dyja vendet sa më shpejtë t’i mbajnë konferencat e para ndërqeveritare, ka deklaruar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim ai pret që vizita e kryeministrit bullgar në Maqedoninë e Veriut të jetë e frytshme dhe premtuese.
“Ne nuk duam dhe nuk punojmë për ndarje, po koordinohemi më mirë dy vendet për të marrë sa më shpejt datat e konferencave ndërqeveritare, kjo është një nga arsyet pse jam këtu për të ndarë mendimet për këtë sfidë shumë të rëndësishme për të dy vendet. Me presidentin tuaj Pendarovski kemi një mirëkuptim shumë të mirë. Do të intensifikojmë përpjekjet tona për të qenë të durueshëm dhe të punojmë së bashku dhe më fortë. Kam në plan të shkoj në Bullgari për të takuar Presidentin Radev, uroj që vizita e ardhshme e kryeministrit të sapozgjedhur bullgar në Maqedonisë së Veriut të jetë shumë e suksesshme dhe premtuese.”,- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Lidhur me nismat rajonale siç është “Ballkani i Hapur” presidenti Meta ka deklaruar se të gjitha nismat përveç përfitimeve kanë edhe detyrime duke ngritur shqetësimin e tij për mospërfshirjen e Kosovës në këto bashkëpunime.
“Kur kemi nisma gjithëpërfshirëse të konsoliduara me një kujdestari apo mbështetje të posaçme veçanërisht të BE-së siç është nisma e Berlinit por edhe të tjera nuk mund të zhvendosim shtratin e bashkëpunimit rajonal nga vetë shtrati i vetë procesit të integrimit evropian të të gjithë vendeve tona dhe të gjithë rajonit. Një shqetësim i imi është edhe pozita e Kosovës për sa i takon bashkëpunimit rajonal sepse ka një tendencë për ta margjinalizuar e cila nuk është e drejtë.”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidenti Meta paraprakisht është pritur edhe nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
NAIM RAMADANI
