Maqedoni

Ngrohja qendrore, ME: t’i merret licenca nëse nuk siguron ngrohje

11.01.2022 17:56

Institucionet edhe më tej hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës për mungesën e ngrohjes qendrore...

Institucionet edhe më tej hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës për mungesën e ngrohjes qendrore në disa pjesë të kryeqytetit. Nga BEG theksojnë se sistemi i tyre punon me kapacitet të optimizuar, ndërkohë që në Qeveri shqyrtohen mundësitë për tejkalimin e gjendjes.
 
Nga Ministria e Ekonomisë theksojnë se BEG ka obligim ligjor të sigurojë ngrohje adekuate dhe nëse nuk e bën atë mund të ballafaqohet me marrjen e licencës.
 
"Iu bëjmë thirrje Qytetit të Shkupit dhe komunave që në suaza të buxhetit të tyre të inkuadrohen në krijimin e masave që t’u dalin në ndihmë qytetarëve me qëllim që të zbutet likuiditeti që kanë kompanitë që sigurojnë energji të ngrohjes në qytet. Pushteti qendror do t’i ndihmojë Qytetit të Shkupit dhe komunave që për trasferin e mjeteve tek vetëqeverisjet lokale për sigurimin e gazit natyror për  ngrohjen e institucioneve publike.",- thuhet në Kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë. 
 
Arsovska: Licencat nuk i jep Qyteti i Shkupit
 
Ndërkohë, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se nuk janë kompetentë për ngrohjet qendrore.
 
“Dihet se kush i miraton licencat. Absolutisht qyteti nuk ka asnjë lloj kompetence as për këtë gjendje e as për punën e tre kompanive që për momentin furnizojnë qytetin me energji të ngrohjes. Koncesionet jepen nga Qeveria, ndërsa licencat i jep Komisioni Rregullator për Energjetikë.”,- tha kryetarja e Qytetit të Shkupit, Daniella Arsovska.
 
Lëshohet ngrohja qendrore në Çair, Ganiu: Prapë do të kemi probleme me shkollat
 
Ndërkohë, pas një jave me probleme, më në fund banorëve të komunës së Çairit iu lëshuan ngrohjet qendrore, por prapë nuk dihet se si do të funksionojë më tej ngrohtorja.
 
"Mbetet problem çmimi i lartë për sigurimin e gazit natyror, nga institucionet kompetente akoma nuk kemi marrë informatë për sigurimin e ndihmës financiare plotësuese. Pa kyçjen e institucioneve kompetente, vihet në pikëpyetje puna e mëtutjeshme e Kompanisë "Ngrohtorja Shkup-veri.",- theksojnë për TVM nga Ngrohtorja “Shkup Veri”. Komuna ka bërë një pjesë të pagesës për institucionet, ndërsa tjetrën pritet ta bëjë ditëve në vijim.
 
“Dje kemi paguar 2 milionë denarë nga borxhi për ngrohje dhe do të kemi energji termike për vetëm dy ditë. Komuna e Çairit nuk është fajtore në këtë. Parashtrohet pyetja se çka edhe nëse i shlyejmë të gjitha borxhet kur nëse shkojmë me këtë intensitet atëherë Ngrohtorja mund të na furnizojë ne edhe 9-10 ditë kur fillon dhe viti shkollor dhe prapë prapë do të mbetemi pa nxehje qendrore.”,- tha kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Në kryeqytet janë tre kompani që duhet të sigurojnë ngrohjen qendrore. Nga Komisioni rregullator për Energjetikë u rekomandojnë qytetarëve që kanë problem me ngrohjet qendrore të paraqesin ankesa deri tek furnizuesit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI