SASHK-u: Marrëveshje ose grevë
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, shprehet e pakënaqur me dialogun e deritanishëm social....

Kryetari, Jakim Nedellkov, thotë se deri më tani me Ministrinë e Kulturës dialogu as që ka filluar, me atë të Punës dhe Politikës Sociale janë realizuar vetëm takime, pa propozime konkrete, ndërsa më i avancuar është dialogu me Ministrinë e Arsimit.
Grupet punuese kanë realizuar takime më të shpeshta, por edhe me këtë ministri nuk janë arritur rezultate konkrete, pasi për shumë çështje që i kanë hapur grupet punuese, përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit nuk kanë pasur përgjigje konkrete.
“Kërkesa jonë për korrigjimin e pagave në arsimin fillor dhe të mesëm u refuzua që në fillim, me arsyetimin se kjo çështje është mbyllur dhe Ministria e Arsimit nuk do të bisedojë fare për këtë çështje, që për ne është absolutisht e papranueshme. Po ashtu edhe çështja e vlerësimit të arsimtarëve, përkatësisht shpërblimin dhe dënimin e arsimtarëve me testime eksterne, që SASHK-u e refuzon kategorikisht, deri tani edhe kjo çështje mbetet e hapur, nuk kemi përgjigje konkrete”- deklaroi kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov.
Nga SASHK-u po ashtu përkujtojnë se marrëveshja për prolongimin e grevës ishte që bisedimet të zgjasin deri më 31 dhjetor dhe nëse brenda kësaj jave nuk arrihet marrëveshje, nuk përjashtohet mundësia që vitin e ardhshëm të riaktivizohet greva në arsim dhe kulturë.
“Nëse nuk arrihen zgjidhjet të pranueshme për SASHK-un, nëse nuk arrihet deri te propozimi i zgjidhjeve konkrete lidhur me çështjet që i ka ngritur SASHK-u, është shumë e mundur dhe reale që Këshilli i SASHK-ut në seancën e radhës, që do ta mbajë pas një jave, ta aktivizojë vendimin e 27 shtatorit, përkatësisht aktivizimin e vendimit për grevë të përgjithshme në arsim dhe kulturë”- tha Nedellkov.
Për kërkesat e tyre, SASHK-u ka siguruar mbështetje edhe nga Konfederata Evropiane e Sindikatave të Arsimit. Nënkryetari i kësaj konfederate, Branimir Shtrukel, vlerësoi se sipas bisedimeve me Këshillin e SASHK-ut ka ardhur deri te përshtypja se dialogu social në Maqedoni nuk është kuptuar si parim i partnerëve të barabartë që respektohen mes vete dhe mundohen të gjejnë bashkërisht zgjidhje të pranueshme. Në vend të kësaj kemi përshtypjen se Qeveria e Maqedonisë dialogun social e sheh ekskluzivisht vetëm si pranim të qëndrimeve të saj, thekson ai.
“Reformat nuk janë të mundura nëse ato realizohen pa pëlqimin e Organizatës së Arsimtarëve, ndërsa mbështetje e kësaj që po e theksoj janë shembujt në Evropë në 30 deri në 40 vitet e fundit, ku nuk ka rast reformat të kenë sukses pa mbështetje paraprake të arsimtarëve”- theksoi nënkryetari i Konfederatës Evropiane të Sindikatave të Arsimit, Branimir Shtrukel.
Ai, njëherit theksoi se testimi ekstern nuk është kontestues, sepse aplikohet edhe në vende të tjera, por nuk ka shembull ku testimi është i lidhur me pagat e arsimtarëve apo sanksionimin e tyre. (Gyltene Sinani, TVM2)
