Maqedoni
Kryeministri bullgar Petkov në izolim, shtyhet vizita e tij në Shkup
11.01.2022 18:12
Vizita e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, në Shkup shtyhet për shkak të karantinimit të tij...

Vizita e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, në Shkup shtyhet për shkak të karantinimit të tij, pasi që kryetari i kuvendit, Nikolla Minçev, rezultoi pozitiv me Covid–19, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare. Televizioni nacional bullgar, duke u thirrur në informacione nga pres-qendra e Këshillit të Ministrave, thotë se nuk dihet saktësisht deri kur prolongohet vizita e tij.
Ndërkohë, ish-kryeministri i Bullgarisë dhe lideri i partisë GERB, Bojko Borisov, ka komentuar mbledhjen e Këshillit Këshillëdhënës për Siguri Kombëtare. Sipas tij, kjo mbledhje ka qenë e panevojshme, sepse Marrëveshja dihet, vetëm duhet implementuar.
"Mbledhja e Këshillit Këshillëdhënës për Siguri Kombëtare ishte e panevojshme, vetëm se tregoi kaosin total në të cilin ndodhet shteti. Mbrëmë presidenti Radev i shkurtoi hapësirën e manovrimit kryeministrit, Kiril Petkov.”, tha Borisov.
Informacionet për aneks të ri me Sofjen, MPJ i hedh poshtë, i quan spekulime
Ndërkohë, portali “Veçer” ka dalë me informacion se ka njohuri kinse Ministria e Jashtme e vendit po përgatit tekst të ri për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, i cili në formë të aneksit, do të inkorporohet në Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë të vitit 2017. Por, këto spekulime i hedh poshtë Ministria e Jashtme dhe i quan kundër produktive ndaj përpjekjeve të të dyja vendeve për të tejkaluar dallimet mes vete.
“Bisedimet vazhdojnë të zhvillohen në përputhje me Marrëveshjen e Fqinjësisë të Mirë dhe të gjitha aktivitetet dhe angazhimet e nevojshme, ndërmerren në kuadër të kësaj marrëveshjeje. I demantojmë informacionet për një marrëveshje të re, aneks ose ndonjë tekst shtesë të Marrëveshjes ekzistuese të Miqësisë me Bullgarinë”.
Ritheksojmë se presidenti bullgar Radev në deklaratën e fundit ka thënë se gjatë implementimit të politikës së jashtme, qeveria duhet ta respektojë qëndrimin nacional të Bullgarisë dhe Marrëveshjen e vitit 2017, kornizën e vitit 2019 dhe deklaratën e 44-shës së kuvendit popullor.
Po ashtu ka kërkuar që dhënia e pajtueshmërisë për fillimin e bisedimeve të RMV-së me BE-në të mos lidhet me afate por me rezultatet reale.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
