MPPS, e vendosur të implementojë Ligjin për Honoraristët

23.12.2014 16:35

Qeveria nuk do ta anulojë masën për sigurimin social për persona me të ardhura në bazë të marrëveshjeve në vepër dhe me të drejta autoriale, bëri të ditur ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov....

“Është për keqardhje se disa struktura politike me manipulime dhe ofendime dëshirojnë të marrin pika personale dhe politike, duke kritikuar një masë pozitive. Qeveria nuk do ta anulojë këtë vendim dhe përfshirja e personave të cilët kanë të ardhura në bazë të marrëveshjes në vepër dhe marrëveshjes autoriale është në interes të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në interes të të punësuarve”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Gjatë viteve të kaluara, ndodhte që mijëra punëtorë të keqpërdoren nga ana e punëdhënësit, nëse kjo vazhdon, këta qytetarë nuk do të munden të marrin pension, këta punëtorë punojnë ndershëm njëlloj si të tjerët që janë me marrëveshje të rregullt të punës.

“Me realizimin e kësaj mase, qytetarët që punojnë me marrëveshje autoriale ose marrëveshje në vepër do të marrin sigurim social, do të kenë mundësi të fitojnë edhe pension, sigurim shëndetësor dhe sigurim financiar për lëndime në punë”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Të gjithë ata që nuk i plotësojnë kushtet për pension me moshë me nga 15 vjet stazh pune, do të kenë mundësinë t’i punojnë vitet dhe t’i plotësojnë kushtet për pension dhe ta fitojnë atë.

Këto masa janë marrë në një numër të madh të vendeve evropiane, respektivisht në mbi 95 për qind të vendeve, siç është Austria,Gjermania, Franca, Holanda, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia, Hungaria, tha Spasov. (Flutura Latifi, TVM2)